Lidhje

Haradinaj i pafajshëm - Reagime nga Prishtina


Ish Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj, nuk pranoi asnjë nga akuzat e ngritura nga Gjykata e Hagës. Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës doli sot para gjykatës dhe tha se ishte i pafajshëm. Ndërkohë, mijra shqiptarë të Kosovës u mbërthyen sot para televizorëve për të parë ish kryeministrin Haradinaj i cili deklaroi se ishte i pafajshëm për akuzat e ngritura.

Për shumë shqiptarë të Kosovës nuk ishte e lehtë të shikonin njeriun të cilin ata e konsiderojnë si patriot dhe hero lufte që të dilte përpara Gjykatës së Hagës. Agim Gruda, trainer basketbolli tha megjithatë se ai ndjente krenari të jashtëzakonshme për qendrimin e mbajtur nga ish kryeministri Haradinaj. "Por kur dëgjova lajmet, me të vërtetë u ndjeva shumë krenar që ai kishte vendosur të shkonte në Hagë në mënyrë paqësore,” tha zoti Gruda.”

Megjithatë, njerëz të tjerë në Prishtinë janë të indinjuar që zoti Haradinaj akuzohet për krime në një luftë për të cilën shumica e kosovarëve mendojnë se ishte reagimi i duhur ndaj shtypjes serbe. Ata i zemëron fakti që ish kryeministri i tyre ndodhet në të njëjtën gjykatë si edhe Sllobodan Milloshevici, ish udhëheqësi serb i akuzuar për gjenocid.

Gazetari Valon Syla e përshëndeti atë që ai e quajti vendim prej burri shteti të zotit Haradinaj duke shkuar vetë në Hagë për t’u mbrojtur. Por zoti Syla shqetësohet rreth situatës së pasigurt politike të krijuar nga dorëheqja dhe dorëzimi në Hagë i zotit Haradinaj.

"Problemi është se ai u largua nga Kosova në një situatë kritike në të cilën ne tani nuk e dimë se kush do të bëhet kryeministër. Ne nuk e dimë nëse koalicioni i tanishëm do të vazhdojë të funksionojë. Viti 2005 është një vit me shumë ngjarje politike për Kosovën. Ne duhet të përmbushim disa standarde dhe e gjithë puna me Gjykatën e Hagës është më tepër një pengesë për ne se sa për drejtësinë."

Diplomatë të ndryshëm në Prishtinë po ashtu e vlerësojnë zotin Haradinaj për mënyrën se si iu përgjigj akuzave për krime lufte. Ata janë sidomos të kënaqur për faktin që ai i bëri thirrje njerëzve të ruajnë qetësinë dhe të shmangin çdo veprim të dhunshëm i cili mund të minonte vendosmërinë e shqiptarëve për të fituar mbështetjen e Kombeve të Bashkuara në favor të pavarësisë së plotë.

XS
SM
MD
LG