Lidhje

Charles: Lufta kundër drogës në Shqipëri pengohet nga korrupsioni


Në raportin e Departamentit të Shtetit mbi Strategjinë Ndërkombëtare për Kontrollin e Drogave thuhet se qeveria e Shqipërisë, e ndodhur nën presionin e komunitetit ndërkombëtar dhe me ndihmën e tij, po godet në mënyrë më agresive elementët kriminalë, por puna e saj dëmtohet nga mungesa e burimeve dhe korrupsioni në masë.

Grupe të krimit të organizuar e përdorin Shqipërinë si pikë kalimi për shkak të pozitës strategjike të vendit, kufijve të pambrojtur dhe sistemeve të saj të dobëta gjyqësore e policore, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.

Burimet kryesore të fitimeve të paligjshme janë krimet që lidhen me drogat, vjedhjet, shkeljet e rregullave doganore, shfrytëzimi i prostitucionit, trafikimi i armëve dhe i automjeteve si dhe vjedhja nëpërmjet abuzimit të detyrës.

Pastrimi i parave që vinë nga këto bëhet me lehtësi në Shqipëri për shkak të kontrollit të dobët qeveritar dhe në disa raste për shkak të korrupsionit zyrtar: “Korrupsioni i zyrtarëve është një nga problemet më të rrezikshme të një vendi dhe duhet luftuar me të gjitha mjetet. Të gjitha vendet e kanë patur një problem të tillë në periudha të ndryshme të historisë së tyre por e kanë goditur rëndë atë. Edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, në vitet 30-të, krimi i organizuar po korruptonte zyrtarët në poste publike dhe u deshën vendimet e disa prokurorëve të guximshëm dhe policisë për t’i prerë rrugën këtij korrupsioni”.

Ndihmës Sekretari i Shtetit, Robert Charles, thotë se Shqipëria duhet t’i kushtojë vemendje integritetit të zyrtarëve të policisë, zyrtarëve të doganave dhe të kufirit si dhe zyrtarëve të lartë. Në qoftë se problemi do të kapej që në fillim, eliminimi i tij do të ishte më i lehtë: “Një vend i vogël, me një numër të kufizuar hyrjesh, edhe kur ka përballë korrupsionin publik, ka shanse më të mira për të penguar trafikun e drogës, në qoftë se do të bënte përpjekje pa rezerva për të parandaluar trafikantët e drogës që të mbërthejnë për fyti shoqërinë dhe ta mbajnë atë nën kontroll. Rrjedhimisht një vend i vogël si Shqipëria mund të mbajë më mirë nën kontroll përdorimin e drogave”.

Zoti Charles thotë se krahas me trafikun, fatkeqësisht në Shqipëri është rritur edhe konsumi i drogave, që kur merren në gjendje të koncentruar kanë pasoja vdekjeprurëse. Për sa i përket parandalimit të këtij konsumi, thotë zoti Charles, Shqipërisë i mbetet shumë punë për të bërë duke filluar me informimin e fëmijëve dhe prindërve për rreziqet dhe pasojat e përdorimit të narkotikëve. “Unë kam bindjen e thellë se edukimi i fëmijëve dhe i prindërve është një nga mënyrat për të parandaluar korrupsionin në të ardhmen, por më me rëndësi është mbrojtja e jetës së popullatës së re në moshë. Këtu në Shtetet e Bashkuara ne humbasim mijëra fëmijë çdo vit si rezultat i mbidozës dhe për fat të keq, në Shqipëri vihet re një rritje e ndjeshme e rasteve të abuzimit me drogat. Ky është ndoshta problemi më i dhimbshëm për një familje. Fëmijët, por edhe adoleshentët nuk e kuptojnë se sa të dëmshme janë drogat. Kur ato hyjnë në organizmin e njeriut, mund të dëmtojnë sistemin e riprodhimit, mund të dëmtojnë trurin dhe organe të tjera, dhe jo rallë me pasoja fatale për vetë jetën e individit. ”

Disa herë duket sikur problemi i drogës është bashkëudhëtar i zhvillimit shoqëror. Por Ndihmës-sekretari i Shtetit, Rober Charles thotë se fakti që disa shoqëri të zhvilluara si ato të vendeve skandinave e kanë zgjidhur atë, tregon se problemi është i kontrollueshëm kudo, po të bëhen përpjekjet e duhura si në aspektin politik ashtu edhe në atë shoqëror.

XS
SM
MD
LG