Lidhje

Sen. Hagel: Shtetet e Bashkuara duhet t’i rikthehen angazhimit në Ballkan


Një senator i Shteteve të Bashkuara shpreh shqetësimin se vitet e fundit vëmendja amerikane ndaj Ballkanit ka rënë dhe theksoi se ka ardhur koha që angazhimi për këtë rajon të rikthehet. Senatori Chuck Hagel, anëtar i Komionit të Jashtëm të Senatit iu përgjigj dje pyetjeve të Zërit të Amerikës për rolin amerikan në Ballkan dhe në Kosovë, gjatë një takimi në Fakultetin e Studimeve Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins në Washington.

Senatori Hagel tha se Ballkani ka rënë në radhën e përparësive dhe shprehu shqetësimin për rënien e vëmendjes së Shteteve të Bashkuara në atë rajon.

“Ajo zonë është ende e paqëndrueshme, ende e rrezikshme dhe ne mbetemi të angazhuar atje në nivel diplomatik dhe ushtarak. Megjithatë unë nuk mendoj që qeveria amerikane e ka lënë thjesht mënjanë këtë çështje, por është e vërtetë që Lindja e Mesme ka mbizotëruar gjithçka. Ndoshta vitet e fundit nuk i kemi kushtuar aq shumë vëmendje rajonit të Ballkanit. Do të na duhet që të riangazhohemi përsëri”.

Senatori Hagel vlerësoi faktin që evropianët, kanë marrë përsipër shumë nga përgjegjësitë për rajonin e Ballkanit.

“Kjo është diçka pozitive, por një fakt i tillë nuk është një justifikim që Shtetet e Bashkuara të mos jenë pjesë e këtij angazhimi. Ishte një përpjekje që filloi me NATO-n, të gjithë aleatët tanë evropianë ishin të përfshirë dhe ne duhet të vazhdojmë të jemi të angazhuar”.

Pas takimit, senatori Hagel, foli për rëndësinë e mbajtjes së lidhjeve me Kosovën dhe Ballkanin në përgjithësi, në mënyrë që atje të konsolidohet demokracia.

“Kosova është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të mbajmë lidhjet me popullin e Kosovës dhe të Ballkanit, pasi është një rajon i Evropës ku për shekuj me radhë ka patur konflikte dhe njerëzit atje meritojnë demokraci, liri individuale dhe mundësi”.

Senatori theksoi se Shtetet e Bashkuara do të bashkëpunojnë me aleatët evropianë për të garantuar këto liri dhe për të ndihmuar vendet e rajonit në drejtim të integrimit euro-atlantik.


XS
SM
MD
LG