Lidhje

Bush: vendimi i Italisë për të filluar tërheqjen nga Iraku nuk përbën një grusht për koalicionin


Presidenti Bush thotë se vendimi i Italisë për të filluar tërheqjen e trupave nga Iraku nuk përbën një grusht për koalicionin ndërkombëtar, që mbështet formimin e qeverisë së re në Bagdad. Italia është vendi më i fundit anëtar i koalicionit që njofton planet për të filluar kthimin e ushtarëve të vet në atdhe.

Presidenti Bush tha se e kupton arsyen që partnerët e koalicionit mezi presin të tërhiqen nga Iraku, megjithatë ai po u bën thirrje aleatëve që të qëndrojnë në koalicion deri sa Iraku të jetë në gjendje të vetë-mbrohet më mirë. “Njerëzit duan kthimin në atdhe të trupave të tyre, por ata nuk i duan trupat të kthehen në atdhe në se një gjë e tillë ndikon misionin e koalicionit. Ne kemi bërë shumë përparim.”

Presidenti Bush i telefonoi sot udhëheqësit italian, Solvio Berluskoni, një ditë pasi kryeministri njoftoi planet për të filluar në muajin shtator tërheqjen e 3 mijë trupave italiane nga Iraku në qoftë se forcat e sigurimit në atë vend mund të marrin përsipër më shumë përgjegjësi në fushën e sigurimit.

Kryeministri Berluskoni, një prej aleatëve më të ngushtë evropianë të presidentit Bush në Irak, ka qënë nën presion në rritje për t’i tërhequr trupat pas vrasjes së një oficeri të zbulimit italian nga trupat amerikane.

Presidenti Bush tha se kryeministri Berluskoni e siguruoi atë që vendimi për të filluar planifikimin e një strategjie tërheqjeje nuk ndryshon angazhimin e Italisë në të ardhmen e Irakut. “Së pari ai më tha se donte që unë ta dija se politika e tij nuk ka ndryshuar. Në fakt ai më tha se çdo tërheqje do të bëhet në këshillim me aleatët dhe në varësi të aftësisë së irakianëve për t’u vetë-mbrojtur.”

I pyetur në se vendimi i Italisë do të thotë se koalicioni po shpërbëhet, presidenti Bush tha se përkundrazi, ai mendon që vendet anëtare të koalicionit janë të kënaqura me zgjedhjet në Irak dhe se ata shikojnë se po bëhet përparim drejt krijimit të një qeverie të re.

Zoti Bush tha se solidarizohet me atë që e quajti si ndjenjë entuziazmi rreth zhvillimeve në Irak, duke e cilësuar betimin e asamblesë së re kombëtare në Bagdad si një moment të ndritur në historinë e Irakut. Presidenti tha se ushtria e re e Irakut po bën përparim në stërvitjen e forcave të saj dhe në kalimin e komandës nga komandantët civilë tek ata ushtarakë.

14 vende janë tërhequr nga koalicioni që prej ndërhyrjes ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak para 2 vjetësh. Italia është vendi me kontigjentin e katërt më të madh, pas Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Koresë së Jugut. 160 trupa holandeze u kthyen këtë javë në atdhe në kuadër të një tërheqjeje graduale nga Iraku. Ukraina dhe Polonia po e pakësojnë numrin e trupave të tyre në Irak. Kryeministri britanik, Tony Blair, tha në Dhomën e Komuneve se nuk ka ndonjë afat për trupat britanike dhe italiane që të tërhiqen nga Iraku para se qeveria e re të jetë në gjendje të vetë-mbrohet.

XS
SM
MD
LG