Lidhje

Kosumi beson se do të marrë votat për tu zgjedhur kryeministër i Kosovës


Për të diskutuar lidhur me zhvillimet politike në Kosovë Zëri i Amerikës intervistoi në programin Ditari zotin Bajram Kosumi, ministër i mjedisit dhe planifikimit hapsinor si dhe kandidat për kryeministër të Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosumi, para se të flasim rreth zhvillime politike, desha tju pyes rreth incidentit të djeshëm, atentatit kundër presidentit Ibrahim Rugova. Ç’po bëhet për të gjetur autorët e sulmit dhe sa shqetësues është një sulm i tillë, duke pasur parasysh pikërisht zhvillimet e fundit në Kosovë?

Bajram Kosumi: Së pari dua të them se është një akt i pastër terrorist dhe e dyta është një mesazh shumë i keq dhe e treta është tendencë për të destabilizuar Kosovën në këto ditë të vështira. Mund të them se qendra të huaja si Beogradi, tash e gjashtë muaj pa pushim kanë propaganduar dhe kanë thënë se në mars Kosova do të digjet flakë, ata kanë provuar ta bëjnë këtë me procedurat rreth zotit Haradinaj, nuk ja kanë arritur kësaj dhe siç duket tash kanë provuar ta bëjnë ndryshe me atë që ndodhi dje me presidentin e Kosovës. Mendoj se me të vërtetë ky është një mesazh i keq dhe kjo është një arësye më shumë se ne duhet të formojmë institucionet demokratike të Kosovës në të gjitha sferat, do të thotë edhe në ministrinë e rendit, të gjitha shërbimet informative që mund të parandalojnë dhe mund ti zbulojnë autorët e këtyre veprave kriminale dhe terroriste.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosumi, partia juaj ju ka propozuar si kandidat për kryeministër, ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës, e presidentit Ibrahim Rugova, ka thënë se koalicioni qeveritar midis partisë suaj dhe kësaj partie, mund të vazhdojë punën. A mendoni se do të mund të merrni votat e mjaftueshme në parlament për një qeveri të re të kryesuar nga ju?

Bajram Kosumi: Besoj se po. Shpresoj se partnerët e koalicionit, edhe Aleanca edhe LDKja, jemi të vendosur në këtë dhe kemi pasur edhe konsultime me grupe të tjera politike dhe mendoj se do të kemi vota të mjaftueshme për të zgjedhur qeverinë e re.

Zëri i Amerikës: Ish-kryeministri Ramush Haradinaj është konsideruar gjerësisht si kryeministër mjaft i suksesshëm. Sa e vështirë do të ishte që të krijoni edhe ju një reputacion të tillë në detyrën e kryeministrit në se zgjidheni?

Bajram Kosumi: Natyrisht që është e vështirë. Nuk është çështje vetëm e reputacionit por qeveria e Kosovës nën udhëheqjen e zotit Haradinaj për tre muaj ka dëshmuar shumë cilësi të tjera, ka dëshmuar se si duhet të qeveriset Kosova, ka dëshmuar se me çfarë energjie duhet të punohet, ka dëshmuar se shteti i Kosovës krijohet me punën e përditshme me praktikën e përditshme dhe kjo punë ka bërë që për tre muaj pavarësia e Kosovës sot të shikohet si diçka më kontrete, më e dukshme, më e prekshme. Kjo është ajo që ka dëshmuar qeveria e kaluar dhe po ashtu dëshiroj të them se kjo qeveri dhe ne si aleancë në koalicion kemi thyer edhe disa tabu të tjera politike, qofshin ato kundërshtitë apo armiqësitë politike brenda shqiptare apo qofshin edhe me tema të tjera dhe unë do të mundohem të vazhdojë në një kurs të tillë qeverisës, pa dilema politike dhe pa dilema praktike që të arrijmë ta përfundojmë me sukses misionin tonë historik të krijimit të shtetit të Kosovës, të një shteti me të vërtetë demokratik, një shteti të zhvilluar ekonomikisht dhe të tjera.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosumi, a parashikoni të ketë ndryshime të tjera në qeveri?

Bajram Kosumi: Nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha duke u nisur edhe vet para tre muaj kam qënë njëri prej hartuesve të programit të qeverisë. Njerëzit që janë tash në qeveri bashkë me mua, janë qoftë kolegë të mi nga partia të cilët kanë kryer me sukses punën e tyre ose kolegë nga Lidhja Demokratike që po ashtu kanë kryer me sukses punën e tyre. Unë mendoj se formimi i qeverisë së re në një farë mënyre si rezultat i ndërhyrjes nga jashtë, do të thotë se nuk është një rezultat i votave apo i ndryshimit të rethanave politike, por rezultati i një ndërhyrjeje dhe ne nuk duam të bëjmë tash ndryshime të tërësishme, radikale në qeveri. Do të zgjidhet kryeministri i ri dhe do të plotësohen vendet që janë të zbrazta, dy vende të zbrazta të ministrave.

Zëri i Amerikës: A do të mundet qeveria të kryejë si duhet punën që duhet bërë për plotësimin e standarteve të vëna nga bashkësia ndërkombëtare duke patur parasysh kohën e shkurtër që u ka mbetur?

Bajram Kosumi: Po është fakt i vërtetë se koha e mbetur është shumë e shkurtër, por po ashtu është fakt i vërtetë se ne të gjitha energjitë tash e katër muaj i kemi vënë në dispozicion të arritjes së standarteve për Kosovën dhe unë po ashtu mendoj se deri në qershor në axhendën e qeverisë pika e parë do të jenë standartet dhe do të vemë në shërbim të gjitha energjitë që kemi që të arrihet kjo dhe që në fund të qershorit të kemi një vlerësim pozitiv politik për standartet. Kjo është njëra nga pikat. Puna tjetër që duhet të bëjmë është në aspektin e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Ne si qeveri duhet të krijojmë disa parakushte që të krijojmë shpresën e biznesit në Kosovë, shpresa e biznesmenëve, shpresa e qytetarit të Kosovës, se këtu mund të jetohet dhe të prosperohet ekonomikisht, që të mos shikohet vetëm për të ikur jashtë por të krijohet këtu baza e mirëfilltë ekonomike për zhvillim. Por që të dyja këto edhe standartet edhe zhvillimi ekonomik kanë vetëm një kuptim, që në fund të vitit 2005 të fillojë negocimi i pavarësisë së Kosovës. Ky është qëllimi ynë.

XS
SM
MD
LG