Lidhje

Reformat në gjirin e OKBsë - domosdoshmëri për të rikthyer besimin në këtë organizatë


Administrata e presidentit Bush i ka përcjellë me retorikë të ashpër qëndrimet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara gjatë mandatit të saj të parë. Por në një seancë dëshmish para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë ish-diplomatë dhe zyrtarë amerikanë theksuan nevojën që Shtetet e Bashkuara t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe zhvillimeve në OKB dhe të nxisin reforma në gjirin e organizatës.

Ligjvënësit dhe ish-zyrtarët që e morën fjalën theksuan se Organzata e Kombeve të Bashkuara ndeshet me një sërë problemesh, të cilat burojnë nga vetë natyra e kësaj organizate si një forum gjithë-përfshirës.

“Ne duhet të kuptojmë se Kombet e Bashkuara dhe institucionet e tyre janë një realitet derivativ. Kjo organizatë përmban dhe pasqyron të gjitha virtytet dhe të metat e vendeve që janë antarë të saj,” tha ligjvënësi Tom Latosh.

Ish-ambasadori amerikan pranë OKB-së nga viti 1999-2001, Richard Holbruk, theksoi se realiteti i sotëm ndryshon shumë nga periudha e pas-Luftës së dytë Botërore kur u themelua OKB-ja, gjë që i ka bërë shumë standarte të saj të pavlefshme aktualisht. OKB-ja u themelua në një kohë kur me fjalën “luftë” nënkuptohej ndërhyrja e forcave ushtarake të një vendi në një vend tjetër, kurse në botën e sotme pjesa dërrmuese e konflikteve janë luftra civile dhe mbi 90 për qind e viktimave janë civilë. Ambasadori Holbruk theksoi se organizata po përpiqet t’i përshtatet realitetit të ri përmes reformave, ku ai veçoi reformat në operacionet paqeruajtëse:

“Kur arritëm kulmin e krizës në Bosnjë në vitin 1995 u bë e qartë se sistemi i vjetër paqëruajtës kishte marrë fund. Mandatet e Këshillit të Sigurimit ishin shumë të buta. Helmetat blu nuk kishin pajisje dhe përgatitje të njëtrajtshme, dhe kishte korrupsion në shkallë të gjerë. Reformat sollën krijimin e forcës shumëkombëshe, e cila dallon nga paqeruajtësit e OKB-së, pasi përbëhet nga trupa të dërguara nga vende individuale me autorizimin e Kombeve të Bashkuara. Ky eksperiment u vu në provë fillimisht në Kosovë dhe Timorin Lindor. Timori Lindor, vazhdon zoti Holbrooke, ishte një rast shumë i suksesshëm, pasi jo vetëm u ndal masakra, por tani ky është një vend sovran. Ndërsa në Kosovë, megjithëse masakra u ndal në vitin 1999, ende nuk është zgjidhur statusi përfundimtar,” tha zoti Holbruk.

Shtetet e Bashkuara kanë kushtëzuar pagimin e detyrimeve të tyre vjetore ndaj OKB-së me zbatimin e reformave. Ish-ambasadorja amerikane pranë OKB-së nga viti 1981-1985, Xhin Kërkpatrik theksoi në dëshminë e saj se vetëm reformat në gjirin e organizatës mund të kthejnë besimin e komunitetit ndërkombëtar tek kjo organizatë:

“Ju më pyesni se si munden Shtetet e Bashkuara të rikthejnë besimin në Kombet e Bashkuara. Unë mendoj se as ky komision, as Shtetet e Bashkuara nuk mund të rikthejnë këtë besim. Vetëm funksionarët, drejtuesit dhe programet e OKB-së mund ta bëjnë këtë. Kjo arrihet kur të gjithë anëtarët e organizatës të angazhohen intensivisht në veprimtaritë e saj,” tha zonja Kërkpatrik.

Megjithë të metat dhe skandalet që e kanë tronditur OKB-në kohët e fundit, pjesëmarrësit në seancë theksuan se kjo organizatë ka një domethënie të madhe në arenën ndërkombëtare, pasi është forumi më i madh ndërkombëtar ku vende të ndryshme mund të mblidhen për të diskutuar shqetësimet e tyre. Për këtë arsye Shtetet e Bashkuara nuk duhet të heqin dorë nga OKB-ja por të gjejnë mënyra për t’i rikthyer kësaj organizate prestigjin në arenën ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG