Lidhje

Novicki: Gjendja e sigurisë mbetet pengesë për kthimin e personave të zhvendosur


Trazirat e marsit të vitit të kaluar në Kosovë rezultuan përveç viktimave, edhe në dëme të shumta materiale të pronave të komunitetit serb, duke detyruar shumë pjesëtarë të këtij komuniteti të largohen nga Kosova. Autoritetet e Kosovës u angazhuan të rindërtojnë pronat e dëmtuara për t’u krijuar personave të zhvendosur kushtet për kthim. Por siç shprehet Avokati i Popullit në Kosovë, ombudsmani Marek Novicki, kushtet e sigurisë mbeten problematike, ndërkohë që personat e zhvendosur ende të traumatizuar nga ngjarjet e marsit 2004 ngurojnë të kthehen megjithë përparimet e bëra në rindërtimin e pronave.

“Gjendja e pakicave, dhe në veçanti e komunitetit serb është e vështirë. Duhet që udhëheqja e Kosovës të bëjë përpjekje më të mëdha që të arrihen përmirësime të mirëfillta në këtë drejtim. Në këtë aspekt duhet t’i kushtohet vëmendje jo vetëm realitetit të komunitetit serb që jeton në Kosovë, por edhe gjasave për kthimit të personave të zhvendosur që para 6 vjetësh,” tha zoti Novicki.

Të gjithë ata që e konsiderojnë Kosovën si vendin e tyre, duhet të kenë mundësinë të kthehen, pasi kjo është një ndër të drejtat bazë të njeriut, vazhdon zoti Novicki. Ombudsmani thekson se realiteti i sotëm është ende larg përmbushjes së kushteve për kthimin e personave, sidomos në aspektin e sigurisë.

“Nëse njerëzit nuk mendojnë se në kushtet aktuale mund të ndërtojnë një jetë normale, nëse nuk mendojnë se mund t’u besojnë fqinjëve të tyre, atëherë personat e zhvendosur nuk do të duan të kthehen, ndërsa pakicat që jetojnë aktualisht në Kosovë mund të vendosin të largohen,” tha zoti Novicki.

Një pjesë e problemit, thekson zoti Novicki, qëndron në perceptimin e gabuar të situatës:

“Ka shumë njerëz që nuk e njohin realitetin në Kosovë dhe nuk e dinë që ne kemi rindërtuar një numër shtëpish, të cilat tani qëndrojnë të pabanuara. Nuk është e vështirë të kuptohet ngurimi i personave të zhvendosur për t’u kthyer në një vend nga ku jo shumë kohë më parë u dëbuan me dhunë në rrezik për jetën. Kthimi në këto qytete, kur ende vuajnë pasojat e traumës që përjetuan vitin e kaluar është shumë i vështirë,” tha zoti Novicki.

Ombudsmani thekson se duhet të vazhdojë puna për t’u siguruar pakicave që jetojnë aktualisht në Kosovë kushte sa më normale jetese dhe mbi të gjitha për të përmirësuar gjendjen e sigurisë dhe për të vazhduar punën në drejtim të kthimit të personave të zhvendosur.

XS
SM
MD
LG