Lidhje

Shqipëri: OSBE, ODIHR kërkojnë shpejtimin e procesit të përgatitjes së listave të zgjedhësve


Në Shqipëri prania e OSBE-së dhe ODIHR-it bënë sot thirrje për të përshpejtuar procesin e përgatitjes së listave të zgjedhësve. OSBE-ja kërkoi që ministria e pushtetit vendor të ngrejë menjëherë një mekanizëm kontrolli për të eleminuar të gjithë dublimet në listat që po hartohen nga njësitë e qeverisjes vendore. Si OSBE-ja ashtu dhe ODIHR-i bënë thirrje që ky proces të mos mbipolitizohet

Polemikat e shumta të nisura së fundi rreth listave të zgjedhësve detyruan Osbe-në që të ndërhyjë sërish për të shmangur acarimin rreth kësaj çështjeje kaq delikate, fillesat e së cilës janë pikërisht në një harresë të ekspertëve ndërkombëtarë të sjellë prej saj për hartimin e kodit zgjedhor. Harresa kishte të bënte më faktin se në ligj nuk ishte parashikuar asnjë organ që do të bënte verifikimin dhe korrigjimet në nivel qëndror të listave që po përgatiten nga bashkitë dhe komunat.

Sot me anë të një deklarate për shtyp OSBE-ja dhe ODIHR-i i bënë thirrje ministrisë së pushtetit vendor që të ngrejë një mekanizëm në drejtorinë e përgjithshme të gjendjes civile për të eleminuar të gjithë dublimet në listat e zgjedhësve. OSBE-ja është treguar e gatshme të japë ndihmën e vet për ngritjen dhe funksionimin e kësaj strukture. Ky mekanizëm shprehet një nga drejtuesit e pranisë së OSBE-së do të duhej të siguronte transparencë maksimale dhe të ishte i hapur për të gjithë aktorët kryesorë në këtë proces duke përfshirë veçanërisht përfaqësuesit e opozitës.

OSBE-ja dhe ODIHR-i bënë thirrje që institucionet shqiptare të shpejtojnë punën për përgatitjen e listave të zgjedhësve duke u kujtuar njësive të qeverisjes vendore përgjegjësinë direkte që ato kanë lidhur me përmbajtjen dhe cilësinë e listave në bashkitë dhe komunat e tyre.

Thirje u është bërë dhe aktorëve politikë dhe institucioneve që të mos e mbipolitizojnë procesin e hartimit të listave, një proces i cili ditët e fundit u vu në qendër të kritikave pasi Komisioni qëndror i zgjedhjve i dorëzoi ministrisë së pushtetit vendor bazën e të dhënave të vitit 2003 për t’u përdorur për listat e zgjedhjeve të verës.

Nga opozita shqiptare ky veprim u quajt i papranueshëm dhe u cilësua si një përpjekje e kryetarit të Komisionit qëndror të zgjedhjeve për të manipuluar listat. Furtuna e ngritur rreth këtij problemi bëri që Ministria e pushtetit vendor të vendoste të kthente pas bazën e të dhënave.

Ndërkaq të gjithë hapat dhe procedurat e ndjekura për përgatitjen e zgjedhjeve do të ndiqen tashmë nga afër edhe nga një komision i posacëm parlamenatr, ngritja e të cilit u miratua vetëm pak ditë më parë.

XS
SM
MD
LG