Lidhje

Rumsfeld: Përpjekjet për vendosjen e demokracisë në Irak do të jenë të suksesshme


Në prag të përvjetorit të dytë të fillimit të luftës në Irak, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld, e pranoi se dy vitet e fundit kanë qënë të vështira, por ai theksoi se përpjekjet për vendosjen e demokracisë në Irak do të përfundojnë me sukses dhe se këto përpjekje kanë filluar të kenë ndikim në Lindjen e Mesme. Nga Pentagoni njofton korrespondenti ynë Al Pesin.

Në një takim me personelin e Pentagonit, Sekretari Rumsfeld falenderoi forcat e amatosura dhe personelin civil për ndihmesën e tyre në Irak dhe Afganistan dhe vlerësoi sakrificat e atyre që dhanë jetën ose që u plagosën në këto konflikte.

“Në dy vitet e fundit, nga Iraku në Afganistan, në Ukrainë dhe tani në rrugët e Libanit, kemi parë përsëri e përsëri se lëvizja e njerëzimit është drejt lirisë.”

Sekretari Rumsfeld tha se lufta në Irak, veçanërisht, po ndihmon për t’i dhënë fund tiranisë, dhunës dhe ekstremizmit në Lindjen e Mesme dhe për ta zëvendësuar atë me, atë që ai e quajti, “e ardhmja e tolerancës”.

“Një ditë do të shkruhet historia e saktë e operacionit Iraku i Lirë. Kapitujt e parë të kësaj historie do të flasin për vështirësitë. Ka qënë vështirë dhe vazhdon të jetë vështirë. Por kapitujt e fundit do të shënojnë arritjet: rrëzimin e një prej shteteve kryesore terroriste dhe përhapjen e lirisë në gjithë rajonin.”

Sekretari Rumsfeld tha se është vështirë të matet suksesi i luftës kundër terrorizmit në shkallë globale, por ai shtoi se suksese të veçanta mund të vihen re dhe ai përmendi Irakun si një prej tyre.

Zoti Rumsfeld tha se e ardhmja e luftës në Irak do të varet nga aftësia e forcave të reja irakiane të sigurimit për të luftuar kundër kryengritësve dhe vullneti i popullit irakian për të ndihmuar duke dhënë informacione rreth veprimeve të forcave kryengritëse. Të dy këta elementë tha ai janë në përmirësim dhe kjo do të çojë në pakësimin e trupave amerikane në Irak. Por zoti Rumsfeld nuk tha se kur mund të pritet një pakësim i madh i trupave amerikane atje.

Sekretari Rumsfeld po ashtu përshëndeti vendet që marrin pjesë në koalicion dhe tha se tërheqja dhe pakësimi i trupave nga disa vende nuk përbën arësye për shqetësim.

“Ndryshon nga vendi në vendi. Kjo është e pritshme nga njp koalicion. Më duket janë 40 vende në Afganistan dhe ndoshta 27 ose 28 në Irak. Vendet hyjnë e dalin, por ndihmesa e tyre ka qënë e madhe.”

Sekretari Rumsfeld tha se shumë vende i njoftojnë Shtetet e Bashkuara shumë kohë më parë në se duan të pakësojnë apo tërheqin trupat nga Iraku. Dhe ai kritikoi, Spanjën për tërheqjen e saj të menjëhershme me ndryshimin e qeverisë në Madrit vitin e kaluar. Po ashtu ai përmendi vendet e reja që po bashkohen me koalicionin, si Koreja e Jugut dhe vendet e tjera që po ndihmojnë duke stërvitur forcat irakiane jashtë vendit.

Duke folur më në përgjithësi, Sekretari Rumsfeld tha se forcat amerikane shpesh përpiqen të bëjnë më shumë se sa u takon pasi konfikti ka përfunduar dhe se amerikanët duhet t’i ndihmojnë vendet e çliruara të bëjnë më shumë për veten e tyre.

“Synimi ynë nuk është të shkojmë në një vend dhe të qëndrojmë aty pafundësisht. Synimi ynë është t’i ndihmojmë këto vende, t’i ndihmojmë të hyjnë në rrugën drejt demokracisë, siç është rasti i Afganistanit për shembull, që ne i nxisim dhe i ndihmojmë këto vende të ruajnë ato aftësi politike, ekonomike dhe ushtarake që do t’u krijojnë atyre mundësi të krijojnë kushte për një jetë në paqe e të begatë për popullin e tyre.”

Kjo tha Sekretari Rumsfeld, është ajo që Shtetet e Bashkuara po përpiqen të bëjnë në Irak.



XS
SM
MD
LG