Lidhje

Maqedoni: Komuniteti ndërkombëtar bën thirrje për shmangien e parregullsive në raundin e dytë të zgjedhjeve


NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe qeveritë perëndimore po u bëjnë thirrje udhëheqësve të Maqeonisë të sigurojnë që raundi i dytë i zgjedhjeve vendore që do të zhvillohen atje më 27 mars, të mos karakterizohen nga parregullsitë që karakterizuan raundin e parë të votimeve të 13 marsit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Barry Wood njofton nga Shkupi:

Votimet shkuan pa probleme në shumicën e rajoneve të Maqedonisë, por në Shkup dhe në rajonet pranë Tetovës të banuara nga shqiptarët pati probleme serioze. Vëzhguesit e OSBE-së e vunë në dukje këtë problem në fillim të javës. Tani, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s po paralajmëron se zgjedhjet demokratike janë të nevojshme për vendet që duan të anëtarësohen në Aleancën perëndimore. Maqedonia shpreson se vitin e ardhshëm do të sigurojë një ftesë për t’u pranuar në radhët e Aleancës.

Problemi kryesor ishte në Shkup, ku pati akuza për mashtrime me votat, në mbështetje të kryetarit të bashkisë, Risto Penov. Rivali i tij i pavarur, Trifun Kostovski mendon se ka siguruar mbi 50 për qind të votave, duke fituar raundin e parë. Pretendimi i tij u hodh poshtë nga komisioni elektoral i Maqedonisë.

Të dy rivalët maqedonas do të ndeshen në raundin e dytë të votimeve. Një diplomat perëndimor, i alarmuar për parregullsitë, i paralajmëroi zyrtarët se “nuk duhet lejuar fitorja e Shkupit, por duke humbur Brukselin”. Kjo i referohet shpresave të Maqedonisë për anëtarim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Iso Rusi, redaktori i revistës kryesore në shqip të Maqedonisë, “Lobi”, thotë se partia shqiptare, partnere e vogël e koalicionit në pushtet, ishte përgjegjëse për një sërë incidentesh mashtrimi në votime. Zoti Rusi nuk është optimist se gjendja do të përmirësohet në raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Nuk besoj që gjendja do të përmirësohet. Ndoshta ajo do të keqësohet ngaqë zgjedhja e vërtetë do të bëhet tani, kur kandidatët kryesorë të partive në pushtet vënë kandidaturën për kryetarë bashkish. Vetë kryetarët e Bashkive do të fitojnë dhe si pasojë tensionet do të jenë edhe më të larta.”

Këto zgjedhje janë të parat në Maqedoni në bazë të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, e cila i jep pakicës shqiptare prej 25 për qind të popullsisë së vendit, më shumë kopetenca. Ndërkohë që dy grupet më të mëdha etnike të Maqedonisë nuk pajtohen politikisht, ata kanë të njëjtin qëndrim kur është fjala që Maqedonia të jetë anëtare i NATO-s dhe e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG