Lidhje

Woody Allen i kthehet ekranit të madh me një komedi të suksesshme


Woody Allen i rikthehet ekranit të madh me një film që kritika e ka cilësuar një triumf. Për ata që u prekën dhe u mahnitën nga Titaniku, regjisori James Cameron, një tjetër emër i madh i kinematografisë nxjerr në qarkullim një edicion të posaçëm disqesh me filmim dhe me skena të papara ndonjëherë nga publiku. Ndërkohë një film vizatimor i flet publikut me zërat e disa prej aktorëve më të sukseshëm të Hollivudit.

Woody Allen i rikthehet kinemasë me filmin e tij të ri “Melinda dhe Melinda”, një histori seksi, tradhëtie dhe ngatërresash në komunikim. Ngjarjet zhvillohen në Manhatten ku një grua e re, Melinda që interpretohet nga Radha Mitchell, jeta e së cilës analizohet në dy këndvështrime: komik dhe tragjik, ndërsa ajo braktis të shoqin për një burrë tjetër dhe humb të drejtën për të mbajtur dy fëmijët. Skenat komike dhe romantike gërshetohen me ato serioze, ku ajo kalon përmes peripecive të shumta. Pjesë e filmit janë gjithashtu edhe disa momente kritike që u japin mundësi të shpalosin talentin e tyre, aktorëve si Chiwetel Ejiofor, Jonny Lee Miller, Amanda Peet, Wallace Shawn dhe Will Ferrell. Filmi është komentuar nga kritika si një kthim triumfal i Woody Allenit. Melinda dhe Melinda ofron të gjitha llojet e komploteve të njohura për stilin e regjisorit Allen: tradhëtia bashkëshortore, brishtësia e dashurisë, romanca e sofistikuar dhe paaftësia e komunkimit. Filmi fillon të shfaqet sot në kinematë amerikane.

Personazhet e filmit vizatimor Robotët, me regjisor autorin e filmave për fëmijë William Joyce, vijnë në ekranin e madh të kinemasë me zërat e disa prej emrave më të njohur të Hollivudit. Ngjarjet zhvillohen në një botë të populluar krejtësisht nga robotët dhe kanë në qendër një robot me ide gjeniale, Rodney që flet me zërin e aktorit Ewan McGregor, që do t’i ndihmojë robotët ta bëjnë botën një vend më të mirë. Në përpjekjet e tij, ai has në kundërshtimin e një drejtuesi korporatash të pashpirt, Ratchet dhe magjepset nga një drejtuese e kompanisë Big Weld, Cappy, interpretuar nga fituesja e çmimit Oscar, Halle Berry. Stanley Tucci dhe Dianne West, interpretojnë prindërit e Rodneyt, ndërsa Drew Carey dhe Amanda Bynes janë pjesëtarë e një grupi robotësh miq, Rutsies. Edhe Robin Williams dhe Greg Kinnear interpretojnë në rolet e dy robotëve të tjerë plot humor.

Regjisori James Cameron, fitues i çmimit Oscar deklaroi planet e tij për të nxjerrë në treg në tetor DVD-në e filmit Titaniku. Në paketën speciale me dy disqe, do të përfshihen 58 minuta xhirime që nuk janë shfaqur asnjëherë më parë. Për ata që me të vërtetë janë admirues besnikë të Titanikut, Kameruni njerr në treg edhe një paketë me 4 disqe, ku ka edhe skena shtesë, dokumentare dhe komente të vetë regjisorit. Titaniku mbtetet një nga filmat që ka nxjerrë më shumë fitime në gjithë botën, duke kapur shifrën 1.2 miliardë dollarë. Regjisori thotë se ky edicion special disqesh është edhe një mënyrë për shënuar suksesin e Titanikut.

XS
SM
MD
LG