Lidhje

Faktorët socialë dhe ekonomikë dhe trafiku njerëzor pas rënies së komunizmit në Evropën Lindore


Ndër problemet sociale më të mprehta që kanë prekur shoqëritë e Evropës Lindore dhe Qendrore pas rënies së komunizmit, është trafiku njerëzor. Megjithë masat që po merren për të luftuar këtë problem, thotë sociologia Gail Kligman, nuk është bërë sa duhet në aspektin studimor për të kuptuar faktorët socialë, si ndryshimet në tregun e punës, pabarazinë gjinore në këto shoqëri, që kanë çuar në përhapjen e këtij fenomeni. Zbulimi i këtyre faktorëve është i domosdoshëm në luftën kundër trafikut. Sociologia i bëri këto komente në një diskutim në qendrën Woodrow Wilson.

Karakteri çnjerëzor i trafikut të seksit po zgjon një angazhim gjithnjë e më të madh nga qeveritë dhe organizatat joqeveritare. Por megjithë përpjekjet për luftimin e problemit, thotë zonja Kligman, nuk është bërë sa duhet për të kuptuar lidhjen ndërmjet këtij fenomeni dhe zhvillimeve sociale të periudhës pas-komuniste në këto vende. Një ndër tiparet dalluese të shoqërive në këto vende në 15 vitet e fundit ka qenë ristrukturimi i tregut të punës dhe pabarazia sociale. Identifikimi i ndryshimeve sociale në shoqëritë pas-komuniste është hapi i parë në luftën kundër trafikut njerëzor:

“Liberalizimi politik dhe ekonomik si dhe militarizimi i brendshëm dhe ndërkombëtar krijoi struktura për mundësi të reja, por nga ana tjetër kufizoi alternativat ekonomike, gjë që ka sjellë si rezultat kërkesën dhe ofertën në tregëtinë e seksit në Evropën Lindore. Ashtu si në forma të tjera të emigracionit të forcës punëtore, varfëria dhe mundësitë e kufizuara për punësim janë faktorët kryesorë në jetët e grave dhe fëmijëve që trafikohen me dëshirë të lirë ose jo,” tha zonja Kligman.

Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë se ka një lidhje ndërmjet trafikut dhe rënies ekonomike që përjetoi Evropa Lindore pas rënies së komunizmit. Dy ndër vendet kryesore që shërbejnë si vende origjine në trafikun njerëzor, Moldavia dhe Ukraina janë gjithashtu vende me të ardhura shumë të ulëta kombëtare. Gratë e ndjejnë më rëndë ndikimin e varfërisë dhe të mungesës së mundësive ekonomike. Për shembull, vende të Evropës Lindore dhe Qendrore kanë përjetuar rritje të ritmeve të papunësisë së grave nga viti 1995 deri në vitin 2000. Po ashtu zhvendosjet në tregun e punës në aspektin gjinor kanë bërë që grave t’u ofrohen vetëm punë që paguhen më pak dhe janë të një natyre provizore.

Me daljen e bujqësisë nga sektori publik dhe me mungesën e teknologjisë, ky sektor është thuajse plotësisht i braktisur në Evropën Lindore, duke lënë shumë nga gratë në zonat rurale pa alternativa. Statistikisht gratë dhe vajzat nga zonat rurale përbëjnë shumicën dërruese të viktimave të trafikut njerëzor.

“Varfëria veçanërisht në zonat rurale është një faktor i gjithnjë i pranishëm në nxitjen e këtij fenomeni. Siç rezulton nga statistikat, ekziston një lidhje e qartë ndërmjet ritmeve të varfërisë dhe nivelit të trafikut njerëzor,” tha sociologia.

Zonja Kligman thekson se duhet bërë dallimi ndërmjet trafikut njerëzor dhe prostitucionit. Shumë gra, shpjegon ajo, të shtyra nga nevojat ekonomike angazhohen në tregëtinë e seksit me vullnet të lirë, pasi mundësitë e tjera e nuk janë të mjaftueshme për të përballuar jetesën. Të tjerat, të ndjella nga premtimet për një jetë më të mirë, largohen në drejtim të perëndimit në kërkim të punës ose për martesa me shtetas perëndimorë, por shpesh bien pre e rrjeteve trafikante.

Në Evropën Lindore, ku problemi i trafikut njerëzor është mjaft akut, gjatë viteve të fundit janë vërejtur prirje drejt militarizimit të këtyre shoqërive, qoftë si rrjedhojë e konflikteve ose e vendosjes së trupave të Natos dhe paqeruajtësve të OKB-së në këto vende. Shumë studiues e shohin militarizimin si proces që ushqen trafikun. Zonja Kligman pohon se ky fenomen e acaron më tej problemin e trafikut, prandaj u bën thirje qeverive që kanë angazhuar trupa në forcat paqeruajtëse ose të Natos të tregohen shumë të rrepta ndaj shfaqjeve të tilla në radhët e ushtarëve. Por ajo shton se janë problemet ekonomike dhe sociale që krijojnë problemin e trafikut dhe se lufta kundër këtij problemi duhet bazuar në projekte me karakter ekonomik dhe social.

XS
SM
MD
LG