Lidhje

Pentagoni publikon dy dokumente mbi strategjinë amerikane për të fituar luftën kundër terrorizmit


Raporti i ri për Strategjinë Kombëtare të Mbrojtjes fillon me fjalët: Amerika është një vend në luftë. Raporti parashtron pastaj një program politikash dhe nismash për të përballuar kërcënimet që vijnë nga vende dhe terroristë të ndryshëm të botës si dhe për të siguruar ndihmën e sa më shumë vendeve.

Nënsekretari amerikan i mbrojtjes për çështjet politike, Douglas Feith, i cili paraqiti raportin, tha se një pjesë e strategjisë është parandalimi i problemeve që ato të mos kthehen në kriza e pastaj në luftra. Një pjesë e kësaj pune, tha ai, i përket ta bëjë ushtria përmes trajnimeve dhe këshillimeve me forcat e jashtme por një punë e madhe i mbetet Departamentit të Shtetit dhe agjencive të tjera. Zoti Feith tha gjithashtu se pjesa ushtarake e kësaj strategjie synon të garantojë se ushtria amerikane do të jetë në gjendje të fitojë në çdo konflikt.

Ai tha se një qëllim i rëndësishëm është krijimi i një mjedisi ndërkombëtar, në të cilin vendet që mund të rrezikojnë Shtetet e Bashkuara apo që përkrahin grupe terroriste, të binden që të mos e bëjnë një gjë të tillë. Zoti Feith tha se një politikë e tillë pati sukses me Libinë dhe tani është duke u testuar në Iran.



Ai pranoi se për herë të parë Shtetet e Bashkuara po ftojnë edhe aleatët në procesin e krijimit të këtyre strategjive dhe të planeve ushtarake më konkrete. ” Ne duam të punojmë me aleatët jo vetëm në operacione por edhe në zhvillimin e strategjive. Ne për shembull dëshirojmë të punojmë me partnerët tanë në vlerësimin e përbashkët të gjendjes së sigurisë, në vlerësimin e kërënimeve, si dhe të aftësive të nevojshme për tu përballur me këto lloj kërcënimesh.”

Zoti Feith nuk pranoi të përgjigjet drejtëpërdrejt kur një gazetar e pyeti nëse kishin pasur ndikim mosmarrëveshjet ndërkombëtare rreth luftës në Irak në krijimin e një strategjie të tillë. Ai tha se nuk ishte dakord me mendimin se dokumenti i ri për strategjinë shpaloste një politikë më agresive të Shteteve të Bashkuara në botë. ”Është krejtësisht e gabuar ajo që është thënë vitet e fundit se administrata është larguar nga praktika e kaluar”.

Ai tha se strategjia e re është një zhvillim natyral i një doktrine vetmbrojtëse të projektuar mirë për tu përballur me rreziqet e botës së sotme.

Admirali William Sullivan, nëndrejtor i planeve strategjike dhe politikave pranë shtatmadhorisë amerikane tha se pjesa ushtarake e strategjisë përqëndrohet në aftësinë për t’ju përgjigjur shpejt dhe me vendosmëri konflikteve të njëkohshme në vende të paparshikuara. ”Parimet që po trajtohen i venë rëndësi shpejtësisë dhe integrimit. Jo vetëm integrimit ndërmjet shërbimeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara por edhe integrimit me miqtë dhe aleatët tanë.

Tema e integrimit është mjaft e dukshme në dokumentet e strategjisë së re. Zoti Feith tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta fitojnë luftën globale kundër terrorizmit vetëm apo thjesht me mjet luftarake. Sipas tij, pjesa kryesore e kësaj lufte është ideologjike dhe ajo është pjesë e strategjisë se qeverisë së Shteteve të Bashkuara. //az//

XS
SM
MD
LG