Lidhje

Kandidatura e Wolfowitz nuk do të bllokohet nga Gjermania


Kancelari Gerhard Schroeder thotë se Gjermania nuk do ta bllokojë kandidaturën e nënsekretarit amerikan të mbrojtjes, Paul Wolfowitz, të emëruar nga Presidenti Bush për postin e presidentit të Bankës Botërore.

Zoti Schroeder bëri të ditur se në një bisedë telefonike me Presidentin Bush i tha atij se kandidatura e zotit Wolfowitz nuk do të dështojë për shkak të Gjermanisë. Zoti Wolfowitz ka qenë një ndër hartuesit kryesorë të planit për luftën në Irak, e cila është kundërshtuar nga Gjermania.

Ndërkaq Bashkimi Evropian pritet të diskutojë nesër në lidhje me emërimin e zotit Wolfowitz.

Lidhja e tij me luftën e Irakut, e cila shkaktoi përçarje ndërmjet Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, ndikon fuqimisht në pikëpamjen e evropianëve për emërimin e zotit Wolfowitz.

Michael Emerson, është studiues në Qendrën për Studime të Politikës Evropiane në Bruksel ”Një nga pikëpamjet e përhapura është se zoti Wolfowitz mbështeti me forcë luftën e Irakut që nga fillimi dhe, meqenëse kjo luftë, në tërësi, është konsideruar si e padrejtë nga shumica e evropianëve, zoti Wolfowitz është konsideruar figurë negative nga ky këndvështrim”.

Zoti Emerson thotë se zotit Wolfowitz nuk i mungon kualifikimi dhe se një situatë e tillë është krijuar edhe më parë. ”Zoti Wolfowitz ka qenë profesor mjaft i njohur në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare para se të shkonte në Pentagon dhe se është intelektual i mprehtë e i përmasave tepër të mëdha. Mund të bëhet fare mirë një president i fuqishëm dhe dinamik. Meqenëse ra fjala, Bob MacNamara, pati shkuar nga posti i Sekretarit të Mbrojtjes në postin e Presidentit të Bankës Botërore dhe e kreu këtë detyrë mjaft mirë”.

Zoti MacNamara pati ngjallur kundërshti në kohën e tij për shkak të rolit në Luftën e Vietnamit. Diplomatë thonë se Evropa nuk ka të ngjarë ta bllokojë kandidaturën e zotit Wolfowitz në një kohë, kur ajo po përpiqet t’i tejkalojë mosmarrëveshjet me administratën e Presidentit Bush të shkaktuara nga lufta në Irak.

XS
SM
MD
LG