Lidhje

Mosbesimi mes forcave politike dhe listat e votuesve, shqetësimet kryesore për zgjedhjet në Shqipëri


Ekspertë ndërkombëtarë të zgjedhjeve dhe përfaqësues të organizatave amerikane thonë se problemet kryesore në Shqipëri vetëm disa muaj para zgjedhjeve janë mosbesimi mes forcave politike dhe përfaqësuesve të tyre në komisionet zgjedhore. Ata i shprehën mendimet në një takim të organizuar dje nga Komisioni amerikan i Helsinkit, që përbëhet nga anëtarë të Kongresit dhe përfaqësues të qeverise.

Problemi i listave ishte një ndër shqetësimet kryesore që doli në takimin e djeshëm. Ekspertë ndërkombëtare te zgjedhjeve theksuan se përparimi në Shqipëri nuk duhet matur me zgjedhjet e kaluara, por me plotësimin e standardeve ndërkombëtare. Por, siç theksuan ekspertët, në thelb të gjithë problemeve janë mosmarrëveshjet politike, mungesa e besimit reciprok të forcave politike.

“Një problem që vazhdon të ekzsitojë dhe mendoj se mund të biem dakord me kolegët që ishte një shans i humbur është saktësia e listave të votuesve”.

Nikolai Vulchanov, zëvendës shef i Departamentit të zgjedhjeve për ODIHR-in, zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, ka ndjekur prej vitesh zgjedhjet në Shqipëri.

Zoti Vulchanov tha se megjithëse ka patur disa përmirësime, si për shembull lënia në dorë të zyrtarëve lokalë e hartimit të listave, ai mendon se ekziston rreziku për probleme me listat dhe mundësia për duplikimin e tyre. Ai shtoi se nuk pati marrëveshje politike për të kontrolluar saktësinë e të dhënave nga një komunë apo bashki në tjetrën.

Dickson Bailey, drejtor i projektit për Shqipërinë i Fondacionit Ndërkombëtar për sistemet e zgjedhjeve, IFES paraqiti gjithashtu si shqetësim listat e zgjedhjeve:

“Ekziston mundësia që listat e votuesve të shkaktojnë polemika si nga ana teknike, ashtu edhe politike. Në të vërtetë disa nga komentet e fundit të udhëheqësve politikë lënë të kuptohet se polemika të tilla kanë filluar”.

Zoti Vulchanov tërhoqi vëmendjen se rekomandimet e organizatës së tij u plotësuan vetëm pjesërisht, si edhe shprehu shqetësimin për mënyrën e numërimit të votave duke i zbrazur kutitë e votimit një nga një dhe për caktimin e personave që do të numërojnë votat vetëm dy orë para fillimit të numërimit.

Pjesëmarrësit thanë se klimë e acaruar politike mund të jetë një nga pengesat kryesore për një proces normal zgjedhor. Megjithëse zoti Vulchanov përmendi si përmirësim balancimin e forcave politike në komisionin e zgjedhjeve dhe në hartën zgjedhore, ai theksoi se mosbesimi vazhdon të mbetet një faktor mbizotërues.

“Përsa i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, megjithëse tani forcat politike në nushtet nuk përbëjnë më aty një shumicë kushtëzuese, problemi i komunikimit mes dy grupeve në këtë komision, është shumë i dukshëm dhe mjaft i mprehtë edhe aktualisht dhe pasqyron mungesën e besimit në shoqëri mes dy kampeve kryesore politike, prandaj mendoj se duhet të punojmë ende në këtë drejtim”.

Zoti Bailey madje tha se mosbesimi mes forcave politike mund të shkaktojë pengesa edhe në arritjen e shumicës së nevojshme në Komisionin Zgjedhor për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve.

“Në këtë atmosferë kërkesa për të votuar 5 me 2, duke patur parasysh klimën politike në vend, mund ta pengojë KQZ-në të marrë një vendim të qartë dhe të paanshëm kur të vijë koha për të shpallur rezultatet përfundimtare”.

Ai foli gjithashtu për sfidat që paraqet kjo mungesë besimi politik.

“Megjithëse është e pamundur të shmangësh interesat politike nga procesi administrativ i zgjedhjeve, kjo vazhdon të mbetet një sfidë reale dhe e vështirë në Shqipëri dhe kjo sfidë mund të përballohet vetëm përmes ligjeve, marrëveshjeve zyrtare dhe krijimit të klimës së besimit dhe respektit mes partive politike dhe organizmave administrative të zgjedhjeve dhe kjo nevojë për besim vazhdon të mbetet problemi kryesor me të cilin përballet procesi zgjedhor në Shqipëri”.

Bob Hand, Këshilltar në Komisionin amerikan të Helsinkit tha se zgjedhjet e lira dhe të drejta kanë rëndësi jo vetëm për qytetarët dhe votuesit e Shqipërisë, por edhe për rajonin në përgjithësi.

“Toni kritik i deklaratave ndërkombëtare pasqyron shqetësim pa dyshim, por gjithashtu pasqyron edhe shpresa pozitive që Shqipëria mund të përmbushë standardet e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, nëse udhëheqësit e vendit bëjnë përpjekjet në këtë drejtim. Po ashtu fryma e këtyre deklaratave paqyron mbështetje për popullin e Shqipërisë që meriton pikërisht këtë”.

Zoti Hand tha se sfida tani për Shqipërinë nuk është të vendosë se në ç’drejtim të shkojë, por për të gjetur rrugët sesi të arrijë atje.

“Ritmi i zhvillimit demokratik në Shqipëri dhe i respektimit të shtetit ligjor është ngadalësuar nga vala e krimit të organizuar dhe korrupsionit, herë-herë e kombinuar kjo me amulli politike”.

Ai tha se cilësia e zgjedhjeve të ardhshme mund t’ia ndryshojë drejtimin zhvillimeve dhe të ndihmojë Shqipërinë që t’i hyjë një rruge të sigurt.

Jennifer Butz, Drejtore për Shqipërinë e Institutit Demokratik tha se nëse klima politike në Shqipëri nuk ndryshon, ëndrrat për integrim euroatlantik do të jenë të largëta.

Ndërsa Nesti Gjeluci, përfaqësues i Institutit Republikan në Shqipëri e vuri theksin tek rëndësia që duhet të ketë plotësimi i standardeve të zgjedhjeve dhe për integrim jo në krahasim me të kaluarën dhe problemet, por me ato që duhet të arrijë për të qenë e denjë për këtë itegrim.

Megjithëse përfaqësuesit ndërkombëtarë përmendën ndryshimet pozitive, mesa duket ajo që nuk ka ndryshuar është klima politike dhe efekti që ajo ka tek publiku. Zoti Vulchanov e përmblodhi një gjë të tillë me një fjali të shkurtër kur tha se një nga ngjashmëritë më të mëdha me zgjedhjet e kaluara është mungesa e besimit mes aktorëve kryesorë të politikës.



XS
SM
MD
LG