Lidhje

"Amnesty International": kritika për të drejtat e njeriut në Serbi dhe Malin e Zi


Në një raport të publikuar sot, organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International thotë se megjithëse kanë dy vjet që janë pranuar në Këshillin e Evropës, Serbia dhe Mali i Zi vazhdojnë të mos përfillin detyrimet e tyre për zbatimin e angazhimeve në aspektin e të drejtave të njeriut, sidomos ato që kanë të bëjnë me trashëgiminë e krimeve të luftës dhe të torturave policore.

Në raport thuhet se shumë nga personat përgjegjës për rrëmbimet dhe vrasjet e myslimanëve të Bosnjes dhe të shqiptarëve të Kosovës, vazhdojnë të mbeten pa u ndëshkuar.

Në raportin e organizatës Amnesty International thuhet se megjithë detyrimet ndërkombëtare dhe kombëtare, autoritetet e Serbisë dhe Malit të Zi refuzojnë të arrestojnë dhe të ekstradojnë personat e paditur nga Gjykata e Hagës dhe mbështeten vetëm te dorëzimet vullnetare të këtyre njerëzve. Autoritetet, thuhet në raport, kanë vazhduar të refuzojnë t’i dorëzojnë gjykatës ish zëvendës ministrin e brendshëm dhe ish shefin e policisë të Kosovës, Sreten Llukiç si dhe ish shefin e ushtrisë jugosllave Nebojsha Pavkoviç. Që të dy ata janë akuzuar për shkelje të ligjeve të luftës në Kosovë në vitin 1999 dhe që të dy banojnë në Serbi.

Deri më sot, thuhet në raport, në Serbi dhe Mal të Zi nuk janë organizuar gjyqe të zyrtarëve të lartë politikë dhe ushtarakë për krime lufte ose krime kundër njerëzimit në lidhje me konfliktet jugosllavë. Shumë nga personat përgjegjës për rrëmbimet dhe vrasjet e myslimanëve të Bosnjes dhe të shqiptarëve të Kosovës, vazhdojnë të mbeten pa u ndëshkuar.

Praktika e nxjerrjes në gjyq vetëm e kriminelëve të niveleve të ulta inkurajon kulturën e mosndëshkimit ndaj udhëheqjes ushtarake dhe politike. Askush deri tani, thuhet në raport, nuk është ndëshkuar në lidhje me ata qindra shqiptarë të Kosovës të varrosur në varre të fshehta masive që ndodhen në pronat e Ministrisë së Brendshme serbe. Dëshmitarët e mundshëm të djegies së trupave të shqiptarëve të Kosovës në furrnaltat industriale serbe në vitin 1999, thuhet se janë frikësuar nga zyrtarët e sigurimit për të mos lejuar daljen e fakteve.

Organizata u bën thirrje autoriteteve të hetojnë plotësisht, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme rreth akuzave se pjestarë të forcave të sigurimit morën pjesë në asgjësimin e provave për krime masive në Kosovë, duke djegur trupa njerëzish në uzinën e Maçkaticës në maj 1999, në mënyrë që personat e akuzuar për krimet të nxirren para drejtësisë.

Në raport thuhet se organizata Amnesty International është e shqetësuar për vazhdimin e diskriminimit të romëve, sidomos të romëve të Kosovës që u zhvendosën si pasojë e konfliktit të vitit 1999. Në raportin e saj, Amnesty International i bën thirrje Serbisë dhe Malit të Zi që të shqyrtojnë seriozisht shkeljet e së kaluarës, të nxisin dhe të mbrojnë të drejtat e njeriut si dhe të plotësojnë angazhimet e tyre ndaj Këshillit të Evropës.

XS
SM
MD
LG