Lidhje

OSBE: zgjedhjet në Maqedoni plotësuan përgjithësisht standartet ndërkombëtare


Në Maqedoni u zhvilluan zgjedhjet vendore për herë të parë që nga viti 2001 kur u arrit marrëveshja politike që u jep më shumë pushtet shqiptarëve dhe pakicave të tjera. Sipas Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, zgjedhjet plotësuan përgjithësisht standartet ndërkombëtare, megjithëse pati parregullsi të rënda dhe serioze.

Keith Whitmore, kryetari i delegacionit të Këshillit të Evropës, tha se “votimet u zhvilluan normalisht në shumë pjesë të vendit. Megjithatë shumë raste të votimit në grup, mungesës së firmave në listat e votuesve dhe mbipopullimi i qendrave të votimit ishin zhgënjyese. Votimi në grup është shkelje e fshehtësisë së votimit, është i papranueshëm dhe duhet t’i përkasë së kaluarës”, tha ai. Probleme të tjera të përmendura nga vëzhguesit ndërkombëtarë përfshijnë raste të kërcënimit të votuesve, mbushje të kutive të votimit dhe njëanshmëri nga organet shtetërore të shtypit.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Richard Boucher tha se mangësitë në procesin zgjedhur duhen korrigjuar. “Ne u bëjmë thirrje autoriteteve maqedonase të hetojnë dhe ndjekin penalisht para zhvillimit të raundit të dytë të zgjedhjeve më 27 mars, çdo shkelje ligjore që u vu re gjatë votimit të raundit të parë.”

Zgjedhjet në Maqedoni janë të rëndësishme për të provuar angazhimin e këtij vendi për krijimin e institucioneve të forta demokratike që plotësojnë standartet e komunitetit euro-atlantik. Këto janë zgjedhjet e para vendore në Maqedoni që pas miratimit verën e kaluar të ligjit për decentralizimin i cili synon të forcojë demokracinë në nivel vendor. Ato shënojnë një hap të madh përpara për Maqedoninë, për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, e cila është kusht që ky vend të pranohet në Bashkimin Evropian dhe në Nato.

Maqedonia ka shumë për të përfituar në se raundi i dytë i zgjedhjeve më 27 mars do të ishte i lirë dhe i drejtë. Rreziqet janë shumë më të mëdha se sa thjesht përfitimet afat-shkurtëra të partive politike. Qeveria dhe udhëheqësit politikë duhet të punojnë për të siguruar të ardhmen e Maqedonisë në institucionet euro-atlantike duke marrë masa që raundi i dytë i votimeve të plotësojë standartet demokratike. //az//
XS
SM
MD
LG