Kreu i Organizatës për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë tha se integrimi i pakicave në Kosovë është i panegociueshëm dhe i bëri thirrje qeverisë të zbatojë politika gjithëpërfshirëse.
Ministri i jashtëm slloven Dimitrij Rupel, kryesues i radhës së organizatës, i bëri këto komente sot në Prishtinë. Zoti Rupel u takua me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Zoti Rupel tha se forcat politike kosovare duhet të punojnë së bashku për të ndihmuar në ndërtimin e asaj që ai e quajti e ardhmja evropiane për një Kosovë shumë etnike.
Organizatat ndërkombëtare u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës dhe pakicave të tjera etnike të marrin pjesë në jetën politike të vendit.
Megjithatë serbët i bojkotuan në shkallë të gjerë zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar duke thënë se policia dhe paqeruajtësit ndërkombëtarë nuk arritën ti mbronin ata gjatë trazirave të marsit 2004.