Lidhje

Një ekspert amerikan vlerëson gjakftohtësinë e shqiptarëve të Kosovës


Michael Haltzel, këshilltar i komisionit të senatit amerikan për marrëdhëniet ndërkombëtare, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se dorëzimi i zotit Ramush Haradinaj në Hagë ishte një akt i denjë për një burrë shteti, që duhet ndjekur si shembull nga njerëz të tjerë të akuzuar për krime lufte. Por mbi të gjitha, zoti Haltzel vlerëson gjakftohtësinë që treguan shqiptarët e Kosovës pas këtyre zhvillimeve. Zotin Haltzel e intervistoi kolegia jonë Jela de Franceschi:

Michael Haltzel, thekson se megjithë mbështetjen që gëzonte ish-kryeministri Haradanaj në radhët e shumicës shqiptare në Kosovë, dorëheqja e tij nuk u bë shkak për trazira siç kishin parashikur disa analistë të rajonit:

“Reagimi paqësor i popullsisë shqiptare të Kosovës ndaj dorëzimit të zotit Haradinaj është një shenjë shumë inkurajuese. Ramush Haradinaj konsiderohet si hero lufte nga shumica e njerëzve në Kosovë. Unë vetë nuk mund të gjykoj çështjen e tij. Shumë veta kanë thënë se gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në postin e kryeministrit ai ishte shumë i efektshëm. Unë e njoh personalisht dhe e di se është i zoti.”

Zoti Haltzel foli më pas për rolin e zotit Haradinaj në garantimin e sigurisë së Manastirit të Deçanit:

“Unë dhe senatori Biden e vizituam Manastirin në janar 2001. Kur u kthyem në Shtetet e Bashkuara, senatori Biden i shkroi një letër konfidenciale zotit Haradinaj, i cili ka mbështetjen kryesore në atë zonë të Kosovës. Ai edhe vetë është nga kjo zonë. Në atë letër senatori i shkruante se kemi vënë besimin tonë tek ju për të garantuar sigurinë e manastirit dhe të priftërinjve.”

Ishin pikërisht udhëzimet e zotit Haradinaj që Manastiri të mos prekej në asnjë rrethanë, që e shpëtuan këtë objekt gjatë trazirave të marsit 2004, megjithëse dhjetëra objektet të tjera fetare u dogjën, vazhdon zoti Haltzel. Megjithëse kjo çështje nuk ka lidhje me akt-padinë ndaj zotit Haradinaj, vazhdon këshilltari, ajo tregon se ish-kryeministri është një person që beson në një shoqëri shumë-etnike në Kosovë.

“Ne do të presim se si do të zhvillohen ngjarjet lidhur me procesin gjyqësor. Unë mendoj se i gjithë territori i ish-Jugosllavisë ka nevojë për udhëheqës më largpamës.”

Ngjarjet që pasuan ngritjen e akt-padisë, thotë zoti Haltzel, treguan jo vetëm patriotizmin dhe pjekurinë e zotit Hardinaj si burrë shteti por edhe pjekurinë politike të shqiptarëve të Kosovës:

“Me sa di unë, kur hetuesit e Gjykatës së Hagës intervistuan zotin Haradinaj vjeshtën e kaluar, ai e bëri të qartë se nëse ngriheshin akuza ai nuk do të fshihej nga ligji, por do të shkonte vullnetarisht në Hagë. Dhe bëri pikërisht këtë. Për më tepër, ai nxori një deklaratë ku bënte thirje për ruajtjen e qetësisë. Ky ishte një gjest patriotik, i denjë për një burrë shteti, i cili duhet të ndiqet nga gjenerali Gotovina, Karaxhiçi dhe Mlladiçi. Ndërkaq, sjellja e shqiptarëve të Kosovës ka qenë shembullore dhe ka treguar një pjekuri të madhe, ndoshta sepse ata me të vërtetë po piqen ose ngaqë e kanë të qartë se po afron koha e shqyrtimit të standarteve. Dhe nëse ky shqyrtim tregon se është arritur një nivel i kënaqshëm me standartet, atëherë mund të fillojnë bisedimet për statusin. Mendoj, thotë zoti Hatzel, se ky është objektivi i tyre përfundimtar. Dhe ky është një reagim i natyrshëm: njerëzit u përgjigjen stimujve për arritjen e objektivave të dëshirueshme.”

XS
SM
MD
LG