Lidhje

Një fotoreporter përjetëson luftën me kameran e tij


Puna e fotoreporterit të luftës, është quajtur më e rrezikshmja në botë. Ai ka si armë vetëm aparatin e tij fotografik dhe disa filma, praktikisht i pambrojtur në luftë. Por pse këta njerëz rrezikojnë jetën e tyre në fushën e betejës? Në materialin e mëposhtëm, njëri prej këtyre fotoreporterëve tregon se çfarë ndjen gjatë punës së tij dhe pse e vë veten në rrezik për të kapur në kamera momente të papërsëritshme lufte.

Wade Davis, eksplorues i shoqatës National Geographic, e përshkruan Chris Rainierin si gjahtar imazhesh dhe thotë se ai është i vetëdijshëm që fotografitë e tij mund të bëjnë histori.

“Ai asnjëherë nuk e lë aparatin deri në perëndim të diellit. Chris Rainier nuk del në terren me idenë e krijuar në kokë për fotografitë që do të bëjë. Për të çdo gjë varet nga ajo që do të shohë. Dhe pa bujë, ai hyn në ndërtesa, shkon deri në pikën më të lartë, ecën mbi gjethet e një pylli, apo shkon pas një toge ushtarësh”.

Vetë Rainier, fotograf për revistën National Geographic shpesh ndeshet me pyetjen: pse duhet të rrezikosh jetën në vende të tilla, si Bagdadi, Somalia, apo Sarajeva. Ai shpjegon se kur sheh vuajtjet e njerëzve dhe ndjen zemërim për mënyrën sesi ata trajtohen, kjo vetvetiu të nxit të rrëfesh historinë e tyre.

Bert Fox, redaktor fotografie, shpjegon se sa i rëndësishëm është roli i fotografisë për publikun.

“Roli i fotoreporterit si dëshmitar në luftë, mendoj se ndikon tek opinioni publik më shumë se të gjitha fjalët që shkruhen për luftën”.

“Duhet të shkosh pikërisht atje ku ndodhin ngjarjet e rënda, atje ku shpërthejnë bombat dhe ku vriten njerëzit. Duhet të shkosh pikërisht aty ku është rreziku”, thotë vetë Rainier.

Ai e pranon që frika është e pashmangshme, por shton se më e rëndësishme është sesi e përballon atë.

“Gjëja e çuditshme në një zonë lufte, është se nuk ka asnjëherë një kufi, për të cilin të thuash që nëse e kapërcen, rrezikon. Linja ndarëse mes të rrezikshmes dhe të parrezikshmes ndryshon vazhdimisht, çdo minutë, çdo orë, çdo ditë”.

Ai tregon një ngjarje të ngjashme nga Iraku, kur kishte shkuar me një patrullë ushtarësh amerikanë në Abu Ghraib.

“Ne po u shkonim prapa disa njerëzve që sapo kishin hapur zjarr ndaj nesh. Puna ime ishte që ta fiksoja çdo gjë në film. Në atë moment po këmbeheshin të shtëna, shihje makina që ecnin me shpejtësi, helikopterë mbi kokat tona. Kështuqë në momente të tilla, i bën veprimet nën efektin e emocioneve të çastit, të asaj që po ndodh rreth e qark teje. Por diçka brenda vetes të shtyn t’i shikosh gjërat në distancë, të lësh mënjanë emocionet, të kontrollosh filmin, të mendosh se cili kënd është më i përshtatshëm, si mund të punosh në errësirë. Pavarësisht se je në rrezik. Nga ana tjetër, ke shtysën që ta shohësh atë që ndodh përmes ndjesive, emocioneve, sepse në fund të fundit, këtë duhet të fiksosh në film”.

Duke reflektuar për mëdyshjet e herëpashershme në punën e tij, fotoreporteri i luftës, thotë se ndonjëherë i shkon ndër mend se po rrezikon jetën për një fotografi në një revistë që në fund të fundit, mund të shërbejë për të mbështjellë ushqimet, apo fotografia mund të mos jetë më e madhe sesa një pullë poste. Ai e pranon se nëse nuk ke kujdes, zhgënjehesh dhe nuk mendon se po sjell ndonjë ndryshim. Chris Rainier thotë se herë pas here, duhet bërë një pauzë dhe duhet vënë çdo gjë në kontekst:

“Ajo që më pëlqen të kem realizuar, kur largohem nga një zonë lufte, është që të kem fiksuar në film, një grup imazhesh përmes të cilave të jetë i dukshëm kompleksiteti dhe tmerri në qendër të konfliktit. Ne krijojmë një ide romantike për luftën. Përmes fotografive të mia, unë përpiqem të shfaq patosin e përvojës njerëzore, në këto situata jete dhe vdekjeje. Dhe shpresoj që kur njerëzit t’i shohin këto fotografi, të jenë në gjendje jo vetëm të shikojnë se si duket lufta, por ta ndjejnë se ç’është ajo në të vërtetë”.

“Nëse nuk do ta besoja një gjë të tillë, nuk do të vija jetën time në rrezik”, thotë fotoreporteri.

XS
SM
MD
LG