Lidhje

Abaz hodhi poshtë idenë që Izraeli të mbajë kolonitë në Bregun Perëndimor


Udhëheqësi palestinez Mahmud Abaz e hodhi poshtë idenë që Izraeli të mbajë kolonitë e tij të mëdha në Bregun Perëndimor si pjesë e një marrëveshjeje përfundimtare paqeje për Lindjen e Mesme.

Zoti Abaz tha sot në Gazë se çdo negociatë për vendbanimet hebraike, me përjashtim të ndalimit të tyre, është e papranueshme.

Komentet e tij u bënë pasi Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice la të kuptohet se Uashingtoni vazhdon të mbështesë planet e Izraelit për të ruajtur një pjesë të vendbanimeve hebraike.

Zonja Rice i tha sot një radioje izraelite se megjithëse Shtetet e Bashkuara nuk do ta paragjykojnë rezultatin e bisedimeve për statusin përfundimtar, qendrat e mëdha eksistuese të popullatës izraelite do të duhet të merren parasysh.

Izraeli ndërkohë i ka shtyrë planet për t’ia transferuar sigurimin e një të tretës të Bregut Perëdnimor, autoriteteve palestineze. Ministri i Mbrojtjes Shaul Mofaz dha urdhër sot që të shtyhet transferimi, duke shtuar se palestinezët nuk kanë arritur të marrin masa ndaj ekestremistëve në dy qytete që u kaluan nën kontroll më parë.

XS
SM
MD
LG