Lidhje

Kryeadministratori Petersen në Beograd


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen-Petersen arriti në Beograd ku të dielën mbrëma u takua me ministrin e jashtëm Vuk Drashkoviç. Të dy palët thanë se është në interes të serbëve që të hyjnë në grupet e punës dhe në institucionet e Kosovës.

Zoti Drashkoviç i tha shefit të UNMIKut se Beogradi po insiston në mosndryshimin e kufijve të Serbisë e Malit të Zi me Shqipërinë dhe Maqedoninë, dhe angazhohet që Kosova të fitojë një shkallë më të lartë se autonomia por më pak se pavarësia.

Zyrtarët e UNMIK-ut u shprehën nga ana e tyre se aktualisht po bëhen përpjekje për rifillimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për të gjitha çështjet e hapura të interesit të ndërsjellë.

Vizita e kryeadministratorit të Kosovës në Beograd bëhet disa ditë pas zgjedhjes së qeverisë dhe kryeministrit të ri të Kosovës, Bajram Kosumi si dhe pas bisedimeve që zoti Jesen-Petersen pati të mërkurën me drejtuesit e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Ai do të bisedojë me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, kryeministrin Vojisllav Koshtunica dhe shefin e Qendrës Bashkërenduese për Kosovën, Nebojsha Çoviç. Pritet që tema të bisedimeve me zyrtarët e Beogradit të jenë mundësia e vazhdimit të dialogut të Beogradit me përfaqësuesit e qeverisë së re në Prishtinë, i cili filloi vitin e kaluar, por që është vazhdur para disa ditësh me takimin e Grupit të punës për zgjidhjen e problemit të personave të pagjetur në Kosovë. Do të bisedohet gjithashtu për arritjen e standardeve për Kosovën para fillimit të bisedimeve mbi statusin e saj, si dhe çështja e decentralizimit të pushtetit.

Pritet që një vëmendje e veçantë t’u kushtohet çështjeve që kanë të bëjnë me pozitën e pakicave që është edhe pjesë e standardeve për Kosovën. Para ardhjes në Beograd, shefi i UNMIK-ut biseduar të dielën me kryeministrin e ri të Kosovës Bajram Kosumi dhe paralajmëroi se do të angazhohet për dialog midis përfaqësuesve të qeverive të Prishtinës e Beogradit.

Por këshilltari i presidentit të Serbisë, Branko Radujko deklaroi sot për mediat serbe se nuk do të ketë bisedime me zotin Kosumi sepse ai nuk po tregon interesim për çështjet që janë të rëndësishme për jetën e qytetarëve, por dëshiron që të bisedohet vetëm për statusin përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG