Lidhje

Amerika në mbrojte të të drejtave të njeriut dhe demokracisë 


Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit me titull "Mbështetja e të Drejtave të Njeriut dhe Demokracisë për vitin 2004-2005" u bë publik sot këtu në Washington. Raporti i paraqitet çdo vit Kongresit nga Departamenti i Shtetit dhe ka si synim te njoftoje mbi veprimet e ndërmarra nga qeveria amerikane për të inkurajuar respektin për të drejtat e njeriut.

SHQIPERIA

Qeveria shqiptare në përgjithësi respekton të drejtat e njeriut të qytetarëve të vet, megjithatë ka pasur probleme serioze. Pati një numër rastesh të dokumentuara në të cilat policia rrahu dhe abuzoi të akuzuarit, të ndaluarit dhe të burgosurit. Kushtet në burgje vazhdojnë të jenë të rënda. Policia në disa raste arrestoi e paraburgosi persona në mënyrë arbitrare. Mbajtjet për një kohë të gjatë para gjyqit dhe mos ndëshkimi zyrtarisht ishin probleme.

Qeveria herë herë shkeli të drejtat e jetës private. Është njoftuar gjithashtu se policia përdori forcë të tepëruar kundër protestuesve. Veprime të ndryshme individuale, në shumicën e rasteve të lidhura me gjakmarrjen, rezultuan në disa vrasje dhe në krijimin e një atmosfere frike në disa rajone të vendit. Diskriminimi në shoqëri kundër pakicës rome, komunitetit egjiptian dhe homoseksualëve vazhdoi.

Dhuna dhe diskriminimi kundër grave dhe fëmijëve ishin probleme serioze; edhe punësimi i të miturve ishte problem. Trafikimi i personave vazhdoi të ishte problem, rreth të cilit qeveria mori disa masa.

Në raport thuhet se strategjia e Amerikës për nxitjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut u përqendrua gjatë kësaj periudhe në inkurajimin e Shqipërisë për të vënë në zbatim reformat e nevojshme për të hyrë në institucionet euroatlantike si dhe në mbështetjen e kontributit të Shqipërisë për të luftuar terrorizmin në botë.

Veçanërisht, Shtetet e Bashkuara u përqendruan në përmirësimin e administratës zgjedhore dhe transparencës, duke zgjeruar pjesmarrjen e qytetarëve në çështjet publike, forcimin e institucioneve legjislative dhe civile duke përfshirë median e pavarur si dhe në përmirësimin e aftësive të qeverisë për luftuar krimin, sidomos krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafikun e qenieve njerëzore.

Shtetet e Bashkuara dërguan zyrtarë të ndryshëm qeveritarë dhe joqeveritarë të Shqipërisë në programe ndërkombëtare për të mësuar më shumë rreth luftës kundër trafiqeve, luftës kundër pastrimit të parave, tolerancës fetare, administrimit të gjykatave e të tjera. Shtetet e Bashkuara financuan disa nisma të organizatave lokale kundër trafikimit, korrupsionit, mediave të pavarura, arsimit qytetar dhe pjesëmarrjes në proceset qeverisëse. Mes disa sukseseve kryesore të Shqipërisë është miratimi i disa ligjeve të rëndësishëm, që të gjithë me mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara, për të luftuar krimin e organizuar, financimin e akteve terroriste, për të mbrojtur dëshmitarët, e të tjera.

Qeveria shqiptare arriti gjithashtu me sukses të gjykonte zyrtarë dhe forca policore nën akuzat për abuzimin e detyrës dhe mbajtjen përgjegjës të trafikantëve. Grupe të mbrojtjes së qytetarëve, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, luajtën një rol më të rëndësishëm për të ekspozuar korrupsionin dhe keqadministrimin në qeveri. Shtetet e Bashkuara janë angazhuar aktivisht që Shqipëria të mbajë zgjedhje demokratike. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje vazhdimisht qeverisë së Shqipërisë që të krijojë kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike parlamentare këtë vit. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë gjithashtu ndihmë teknike për ministrinë e qeverisë lokale dhe decentralizimit, për komisionin qëndror të zgjedhjeve dhe qeveritë lokale në shumë aspekte të procesit të zgjedhjeve, si për shembull përgatitja e regjistrimit të votuesve, listave të zgjedhësve, hartimi i posaçëm i zonave zgjedhore dhe rifreskimi i regjistrave të popullsisë civile.

Në kuadër të përpjekjeve amerikane për të nxitur liritë fetare në Shqipëri, zyrtarët amerikanë i bënë thirrje qeverisë shqiptare që të zgjidhë çështjen e pasurive fetare dhe t’u kthejë pasuritë kishtare organizatave që i humbën ato nën sundimin komunist. Ky dokument i pervitshem hartohet ne baze te nje ligji te vitit 2002 te Kongresit, dhe ndryshe nga raporti i Departamentit te Shtetit per te drejtat e njeriut ne secilin vend te botes, aty vihet theksi tek perpjekjet e qeverise amerikane per te nxitur respektimin e te drejtave te njeriut dhe demokracinë në 101 vende dhe entitete të cilat kanë shkeljet më të rënda në këto fusha.

KOSOVA

Në Kosovë, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, ndonëse është arritur përparim i dukshëm përsa u përket ndërtimit të institucioneve demokratike, shumë punë mbetet për t’u bërë, veçanërisht për forcimin e shoqërisë shumë-etnike që garanton mbrojtje dhe liri lëvizje për të gjithë.

Ndërsa Kosova po i afrohet momentit kur do të bëhet vlerësimi i plotësimit të standarteve, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë financiare, teknike dhe diplomatike që Kosova t’i plotësojë standartet. Duke u ndalur për gjendjen në Kosovë, në zhvillimet kryesore të vitit 2004, raporti thekson se gjatë protestave të marsit, oficerë të KFOR-it dhe UNMIK-ut, ishin të përgjegjshëm për vrasjen e disa protestuesve. Disa vrasje të tjera, thuhet në raport u bënë si rezultat i sulmeve me motive etnike. Disa prej autorëve të krimeve u arrestuan. Mbajtja e të pandehurve për kohë të gjatë nën arrest është një tjetër problem dhe procesi i drejtësisë nuk ka qënë gjithmonë i drejtë. Në Kosovë, thuhet në raport, vazhduan tensionet fetare. Liria e lëvizjes për pakicat, veçanërisht për serbët vazhdoi të mbetej problem serioz.

Dhuna dhe diskriminimi ndaj grave, veçanërisht për shfrytëzim seksual ishte një problem serioz. Duke u ndalur më poshtë për strategjinë e Shteteve të Bashkuara për të nxitur demorkacinë dhe të drejtat e njeriiut në Ksoovë, raporti thekson se Uashingtoni ka përdorur një sërë mjetesh përfshirë dimplomacinë, vizitat dhe programet e ndihmave dhe kualifikimit për të ndihmuar Kosovën të mbrojë të drejtat e njeriut dhe të forcojë demokracinë para rishikimit të standarteve këtë vit.

Programet e ndihmave të Shteteve të Bashkuara janë përqëndruar në përmirësimin e transparencës së institucioneve qeveritare, parlamentit, partive politike, organizatave jo-qeveritare, policisë, organeve të drejtësisë dhe shtypit të pavarur. Si rezultat i përpjekjeve të misionit amerikan dhe organizatave jo-qeveritare të financuara me fonde amerikane, në Kosovë u miratua ligji për Lirinë e Informacionit.

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin Programin për Shtypin e Pavarur në Kosovë i cili përqëndrohet në 4 fusha: shtimin e profesionalizmit mes gazetarëve, rritja e aftësive të shoqatave të shtypit dhe Rrjetit të Transmetimeve Tokësore, përmirësimi i strukturës ligjore që mbështet fjalën e lirë dhe përmirësimi i aspektit ffinanciar të organeve të shtypit. Përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të forcuar sistemin e drejtësisë përfshijnë ndihma për të përmirësuar funksionimin dhe drejtimin e gjykatave dhe mbikqyrja e avokatëve dhe prokurorëve.

Shtetet e Bashkuara, thekson më tej raporti, kanë ofruar shumicën e mbështetjes për zyrën e UNMIK-ut për Strehimin dhe Pronat, e cila ka zgjidhur 23 mijë modmarrëveshje pronash dhe deri në qershor të vitit 2005 pritet të përfundojë edhe 29 mijë mosmarrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet e pronësisë pas lufte, duke rivendosur kështu të drejtën e pronës dhe duke lejuar kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre.

Shtetet e Bashkuara thuhet në raport, ndihmuan për nxitjen e të drejtave të njeriut gjatë 2004ës, përmes fondeve për organizatat jo-qeveritare që punojnë me gratë dhe luftojnë dhunën në familje, si dhe me pakicat, për të forcuar zhvillimin e një shoqërie shumë-etnike dhe pjesëmarrjen e pakicave në programet e financuara me fondet publike amerikane.

MAQEDONIA

Në Maqedoni, gjatë vitit 2004, Shtetet e Bashkuara i përqëndruan përpjekjet në nxitjen e qeverisë për të miratuar pjesët e mbetura të marrëveshjes së Ohrit që i dha fund konfliktit të vitit 2001.

Në Maqedoni, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për nxitjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë, qeveria në përgjithësi i respekton të drejtat e qytetarëve, megjithëse ka patur probleme në disa fusha. Zyrtarët e policisë herë pas here i keqtrajtojnë të ndaluarit gjatë arrestit. Por në ndryshim nga vitet e mëparshme, arrestimet arbitrare dhe periudhat e gjata të paraburgimit nuk kanë qënë të shpeshta. Në disa raste, thotë raporti, procesi i hetimit dhe ndjekjes së agjentëve shtetërore dhe civilëve për shkelje të të drejtave të njeriut nuk ka qënë i efektshëm.

Qeveria vazhdoi bashkëpunimin me Gjykatën e Hagës. Dhuna dhe diskriminimi i grave, veçanërisht në komunitetet roma dhe shqiptare vazhdoi të përbëjë problem, ashtu siç vazhdoi edhe diskriminimi shoqëror ndaj pakicave përfshirë romët, shqiptarët dhe turqit.

Trafikimi i personave vazhdoi të ishte problem, të cilin qeveria po vazhdon ta luftojë me agresivitet. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Maqedoni ka luajtur një rol të rëndësishëm për kalimin e këtij vendi nga një vend i paqëndrueshëm dhe etnikisht i ndarë, në një vend që aspiron të anëtarësohet në Nato dhe në Bashkimin Evropian.

Strategjia e Shteteve të Bashkuara për vitin 2004-2005, thuhet në raport është nxitja e qeverisë për të miratuar pjesët e mbetura të marrëveshjes së Ohrit. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë ndihma të mëdha financiare për vitin 2004 në mbështetje të procesit të decentralizimit. Mbështetja e fuqishme e Amerikës për Marrëveshjen e Ohrit ndihmoi qeverinë e Maqedonisë të arrijë marrëveshjen për ndarjen e kufijve të komunave në muajin gusht.

Njohja nga Shtetet e Bashkuara e emrit të Maqedonisë, ndihmoi në pakësimin e mbështetjes për referendumin për decentralizmin që do të kishte dëmtuar marrëveshjen e Ohrit. Me këmbënguljen e qeverisë amerikane, thuhet më tej në raport, autoritetet rihapën hetimet për disa raste të bllokuara siç ishte vrasja e 7 emigrantëve aziatikë, apo arrestimi i ish Ministrit të Brendshëm Boshkovski i akuzuar si organizatori i krimit.

Shtetet e Bashkuara po ashtu e kanë ndihmuar qeverinë e Maqedonisë me ekspertizë teknike për të hetuar pastrimin e parave dhe trafikimin e qënieve njerëzore. Shtetet e Bashkuara, përfundon raporti, ndihmuan me fonde një organizatë jo-qeveritare të specializuar në punën kundër trafikut për të krijuar një sistem të dhënash mbarë kombëtare për rastet e trafikimit.

XS
SM
MD
LG