Lidhje

Sullivan: Pavarësia, megjithëse mund të jetë me kushte, është zgjidhja e vetme për Kosovën


Stacy Sullivan, autore e librit “Nënë mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë” ku ajo flet për ndihmën që komuniteti shqiptar në Amerikë, tha në një intervistë nga New Yorku me Zërin e Amerikës se pak a shumë gjithkush e kupton që pavarësia është zgjidhja e vetme për Kosovën, pavarësisht se ajo mund të jetë me kushte.. Me zonjën Sullivan, redaktore në Institutin e Raportimeve për Luftën dhe Paqen, bisedoi kolegia Keida Kostreci.

Zëri i Amerikës: Zonja Sullivan, disa shqiptarë në Kosovë mendojnë se padia e ngritur ndaj ish-Kryeministrit Haradinaj është në të vërtetë një padi kundër Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës. Si gazetare ju keni shkruar për UÇK-në, keni shkruar edhe një libër për të. A mendoni se keto ndjesi të tyre kanë diçka të vërtetë? Si e shihni ju këtë veprim të Hagës?

Stacy Sullivan: E kuptoj se pse shumë shqiptarë mendojnë kështu. Ramush Haradinaj është vërtet një personazh kompleks. Është dikush që konsiderohet hero, nga shumë shqiptarë në Kosovë, për arsye të kuptueshme.
Megjithatë shkuarja e tij për t’iu përgjigjur këtyre akuzave nuk vërteton që ai është fajtor. Nëse Ramush Haradinaj, nuk i ka kryer krimet për të cilat akuzohet, ai do të ketë shansin ta provojë një gjë të tillë. Kështu që mendoj që shqiptarët e Kosovës do të tregonin mençuri që ta linin atë proces të vazhdonte. Po ashtu nuk mendoj se domosdoshmërisht duhet të lidhet fakti që kryeministri i tyre është thirrur t’u përgjigjet akuzave për krime lufte me ndonjë ndjenjë faji të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më vjen mirë që Ramush Haradinaj dha vetë dorëheqjen, iu dorëzua Hagës, shkoi t’u përgjigjej akuzave dhe i bëri thirrje popullsisë që të mos ngrihej në protesta të dhunshme. Deri tani gjendja ka qenë e qetë dhe unë jam e lehtësuar nga kjo.

Zëri i Amerikës: Me zhvillimet e fundit, Kosova është rishfaqur përsëri në skenën ndërkombëtare dhe interesi ndërkombëtar është ringjallur përsëri. Si mendoni se do të shkojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, pas këtyre zhvillimeve të fundit?

Stacy Sullivan: Megjithëse Kosova është rishfaqur përsëri si çështje për komunitetin ndërkombëtar, nuk më duket se është rishfaqur aq sa ç’duhet dhe amerikanët janë ende shumë të angazhuar me ngjarjet në Irak dhe Afganistan dhe Lindjen e Mesme në përgjithësi. Kështuqë Kosova nuk është në të vërtetë një përparësi e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara. Nëse do të ishte, mendoj se shqiptarët e Kosovës do të ishin në një pozicion më të mirë, sepse nga përshtypja që kam krijuar duke folur me zyrtarët amerikanë, ata nuk e kundërshtojnë idenë e pavarësisë së Kosovës. Mendoj se qëndrimi në Washington është se nuk bëhet fjalë nëse, por kur dhe se a është nevoja t’i merret leje Beogradit për pavarësinë e Kosovës si dhe se Beogradi do të duhet ta pranojë një gjë të tillë.
Mendoj se pozicioni i evropianëve është pak i ndryshëm. Bashkimi Evropian mesa duket është shumë më pak i prirur për ta pranuar pavarësinë e Kosovës dhe derisa të ndryshojë kjo mendoj se statusi i Kosovës do të mbetet i pazgjidhur.
Por pavarësisht nga kjo, pak nga pak gjithkush po e kupton se pavarësia është zgjidhja e vetme për Kosovën dhe nuk mendoj se ka ndonjë që mendon se Kosova duhet të qeveriset përsëri nga Beogradi.
Gjithashtu mendoj se çfarëdo lloj pavarësie që të marrë Kosova, ajo do të jetë me kushte dhe nuk më duket ndonjë problem që të jetë e tillë. Mendoj se shqiptarët e Kosovës, do ta pranonin një gjë të tillë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se zërat pesimistë në komunitetin ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës janë qetësuar disi dhe komuniteti ndërkombëtar e sheh tashmë si më të mundur diçka të tillë?

Stacy Sullivan: Mendoj se mënyra sesi veproi Ramush Haradinaj pas padisë ishte fantastike. Unë druhesha se njerëzit nuk do t’i dëgjonin thirrjet e tij dhe do të dilnin nëpër rrugë gjithsesi dhe kjo është vërtet një shenjë e mirë dhe më bën jashtëzakonisht optimiste për të ardhmen e Kosovës. Mendoj se fakti që Haradinaj veproi në mënyrë kaq të drejtë, me të vërtetë e ndihmon çështjen e Kosovës dhe e bën më të vështirë që evropianët të mbrojnë argumentin se Kosova nuk e meriton pavarësinë, kur të gjithë shqiptarët mbi të cilët është ngritur padi, janë dorëzuar.
Ndërkohë në Serbi ka ende të dyshuar për krime lufte që qarkullojnë të lirë dhe një gjë e tillë lë shumë për të kuptuar.
Mendoj se është për të ardhur keq që Ramush Haradinaj ndodhet në Hagë për t’u përballur me akuza për krime lufte, sepse ai ishte një politikan që punonte shumë, shumë energjik dhe karizmatik, që kishte krijuar besim, njerëzit e dëgjonin dhe ai ishte shumë i disiplinuar.
Megjithatë për të ardhmen e Kosovës, kjo është diçka pozitive, sepse dorëzimi i tij tregoi respekt ndaj ligjit, për mungesën e të cilit shqiptarët e Kosovës, ishin kritikuar dhe tregoi gjithashtu se pas një krize shumë serioze, paqja u ruajt. Mendoj se në fund të fundit, ky do të rezultojë një zhvillim pozitiv për Kosovën.


XS
SM
MD
LG