Lidhje

Xhaferri-Ahmeti: vlerësime të kundërta mbi zgjedhjet dhe gjendjen në Maqeoni


Zgjedhjet vendore në Maqedoni, ishin të parat që pas procesit të decentralizimit, si një nga elementët e fundit të Marrëveshjes së Ohrit, që synon shtimin e të drejtave politike për komunitetin shqiptar. Me ligjet e reja komunat do të kenë tani më shumë pushtet për të drejtuar jetën e përditshme. Por zgjedhjet u karakterizuan nga parregullsi të mëdha që venë në dyshim aspiratat e Maqedonisë për t’u integruar në institucionet euro-atlantike. Përfaqësuesi i Këshillit të Evropës në këto zgjedhje tha se shkeljet që u vunë re, mund të minojnë gjithë procesin e demokracisë në Maqedoni. Intervistë e Zërit të Amerikës me Kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferri.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, zgjedhjet u kritikuan ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe parregullsitë ishin të shumta në rajonet e banuara nga shqiptarët. Çfarë përgjegjësie ndjeni ju për këto parregullsi?

Ali Ahmeti: Sigurisht që qasja duhet të jetë shumë serioze për trajtimin e mbarëvajtes së zgjedhjeve. Unë mendoj që në këto zgjedhje vendore, komuniteti ndërkombëtar ka qënë jashtëzakonisht i angazhuar, sepse ne jemi në prag të kandidaturës për në Bashkimin Evropian dhe vëzhgimi nuk është bërë si në të kaluarën, apo si në çdo shtet tjetër i cili nuk ka përmbushur obligimet për një kandidaturë të tillë siç do të jemi ne, kështu që unë nuk mendoj që situata është aq shqetësuese. Parregullsi të vogla aty-këtu ka patur, jo siç pretendohet vetëm në Maqedoninë perëndimore, atje ku pjesa dërmuese e popullatës janë shqiptarë, por parregullsi ka patur, ta theksoj edhe një herë, të vogla, në nivel republike. Unë mendoj që nuk mund të vlerësojmë që zgjedhjet kanë qënë të nivelit evropiano-perëndimor. Nga e kaluara kemi të trashëguara gjera të pahijshme, por si përfundim, mendoj se zgjedhjet kanë qënë të mira, por jo të shkëlqyeshme.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhaferri, ju vendosët t’i bojkotoni zgjedhjet për shkak të parregullsive. Por duke patur parasysh se këto ishin zgjedhjet e para që do të konsolidonin të drejtat politike për komunitetin shqiptar, ka vëzhgues që thonë se ky nuk ishte një qëndrim i matur. Cila është përgjigja juaj?

Arbër Xhaferri: Ne dolëm me këtë qëndrim për të bojkotuar raundin e dytë nga vlerësimet tona se mund të nodhnin konflikte të pakontrollueshme në mes të zgjedhësve dhe anëtarëve të komisioneve. Parregullsitë që u vunë re ishin tej mase ekstreme dhe mendoj se BDI-ja nuk ka konflikte me PDSH dhe PPD, por ka konflikte me komunitetin ndërkombëtar të përfaëqsuar nga OSBE-ja, ODIHR-i, përfaqësues të Evropës në Maqedoni, por edhe me vetë Kryeministrin Buçkovski i cili dha vlerësime negative. Bojkoti ynë është një sinjal i fortë drejtuar gjithë faktorëve se diçka nuk është në rregull. Zakonisht bëhen përpjekje që të minimizohen këto parregullsi dhe trajtohen tema nga e kaluara, duke thënë se parregullsitë kanë ekzistuar edhe më parë. Dëshiroj t’u bindë juve dhe auditorin që ndjek Zërin e Amerikës për disa fakte: në vitin 1994, ne mezi arritëm të fitojmë 4 deputetë, përqindja e votave ishte 55-56%; në vitin 1998 ne patëm koalicion me PPD dhe populli votoi për koalicionin pa asnjë rezervë, pasi parti opozitare nuk kishte; në vitin 2002, organizuam zgjedhje ku fitoi BDI-ja në mënyrë të drejtë dhe legale; ndërkaq vetëm votimet e vitit 2000 ishin të kontestueshme, ku kandidat ishte Trajkovski dhe një kandidat i LSDM-së, zoti Tito Petkovski. Shqiptarët unanimisht votuan pa marrë parasysh cilës parti i takojnë, për kandidatin e opozitës, zotin Trajkovski, meqë zoti Tito Petkovski ishte një kandidat që kishte shumë kusure ndaj popullit shqiptar. Kështu që ky argument që përdoret për parregullsi në kohën e kaluar, është i rrejshëm dhe nuk përkon me realitetin.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, lufta që ju bëtë në vitin 2001 për më shumë të drejta politike dhe që u kurorëzua me marrëveshjen e Ohrit, si element i fundit i së cilës ishte procesi i decentralizimit dhe zgjedhje, duket se u minua nga shkeljet e shumta që u vunë re. A mendoni se këto zgjedhje i kanë afruar apo ndarë më tej dy komunitetet, shqiptarët dhe maqedonasit në vendin tuaj?

Ali Ahmeti: Unë mendoj që si shqiptarët edhe maqedonasit e kanë kuptuar realitetin dhe objektiv kryesor është që ne të përmbushim obligimet e mara, qoftë si parti politike në pushtet, apo në opozitë, që sa më parë të përmbushim të gjitha standartet, që të përshpejtojmë rrugën në drejtim të integrimit të Maqedonisë në Nato dhe në Bashkimin Evropian. Sigurisht nuk mund të themi që janë tejkaluar të gjitha ato përplasje që janë shfaqur historikisht mes dy komuniteteve për 60 vite me radhë, por megjithatë është krijuar një klimë e mirë që është për t’u përshëndetur. Kështu që mendoj që në vazhdimësi ky realitet do të përmirësohet nga të dyja komunitetet, pasi të dyja palët e kanë kuptuar se ekzistenca e këtij shteti, të themi modern, mund të realizohet dhe ai mund të integrohet në strukturat euro-atlantike përmes bashkëpunimit mes dy komuniteteve më të mëdha që jetojnë në Maqedoni.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhaferri, ju keni shprehur rezerva ndaj marrëveshjes së Ohrit dhe e keni kritikuar decentralizmin se ai nuk u jep sa duhet të drejta shqiptarëve. A janë shqiptarët sot në kushte më të mira se sa në kohën kur partia juaj ishte në pushtet dhe a jeni ju të gatshëm t’i jepni kohën e duhur ligjeve të reja për pushtetin vendor, pra të mos i paragjykoni ato, pa patur mundësi të provojnë veten?

Arbër Xhaferri: Së pari marrëveshja e Ohrit ishte fryt i përpjekjeve politike për të karakterizuar motivet e luftës. Në Ohër ne arritëm që ta bartim krizën në Kushtetutën e Maqedonisë dhe jo tek formulimet që satanizonin UÇK-në. Pra u arrit një fitore e madhe duke shpallur luftën e shqiptarëve si luftë të drejtë. Mirëpo ekzistojnë tendenca që Marrëveshja e Ohrit të ndërrohet në mënyrë të pahetueshme, duke zbatuar një formë tjetër që bie në kundërshtim jo vetëm me tekstin, por edhe me frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Realizimiet që janë bërë deri tani, janë tërësisht të pakënaqsshme dhe nuk ofrojnë asnjë risi, duke filluar nga përfaqësimi adekuat, përdorimi i gjuhës shqipe, por do të thosha edhe decentralizimi, që zëvendësohet me një formë tepër dinake, që ne e quajmë dekoncentrim e jo decentralizim. Në Maqedoni vërehet një fenomen interesant, bastionet e nacionalizmit nuk janë qytetarët, por institucionet e shtetit. Këto institucione në vazhdimësi prodhojnë pabarazi ndaj shqiptarëve dhe mendoj se ka ardhur koha për një reagim të organizuar të faktorit shqiptar. Ne nuk mendojmë se në Maqedoni ekziston një idil dhe ai kurrë nuk ka ekzistuar, por ne refuzojmë që partitë e reja shqiptare në fushën politike të na servirin, opsione tashmë bajate për ekzistencën e relaksimit të marrëdhënieve ndëretnike. Këto marrëdhënie nuk janë relaksuar por janë bërë edhe më dinake, kështu që kemi telashe prej Akademeisë së Shkencave të Maqedonisë, deri tek zyrat e shtetit qendror dhe në nivel komunal.

Zëri i Amerikës: Zoti Ahmeti, si partia juaj, ashtu edhe partia e zotit Xhaferri, kanë si synim përmirësimin e gjendjes për banorët shqiptarë. Duke dëgjuar kritikat që sapo bëri zoti Xhaferri, dhe në bazë të konjukturave të krijuara, a e gjen veten partia juaj më pranë në qëndrime me partitë maqedonase në pushtet, apo me PDSH?

Ali Ahmeti: Ne jemi në koalicion me Lidhjen Social Demokrate dhe Partinë Liberale Demokratike. Po jap njpë shembull shumë konkret: në rastin e decentralizimit që është përshëndetur nga të gjithë shqiptarët edhe nga anëtarët dhe simpatizantët e zotit Xhaferri, sepse decentralizimi është forma më e përsosur që mund të arrijnë shqiptarët. Këtë decentralizim që ne e bëmë e mbështetën edhe partnerët tanë të koalicionit, jo pa humbje, që të dyja komunitetet, shqiptare dhe maqedonase dhanë një provim me rastin e referendumit, që nga komuniteti maqedonas u mbështet, do me thënë e kundërshtonin ketë decentralizim gati 20 përqind, dhe pjesa dërmuese mbështeti ligjin të cilin e hartuan partitë që udhëheqin në qeveri. Kështu që unë mendoj se në Maqedoni shqiptarët kanë arritur mjaft dhe nuk dua që të bëj këtu vetëm retorikë. Partisë Demokratike Shqiptare i takon që gjithmonë të paraqesë pakënaqësi, sepse është parti opozitare dhe duhet ta luajë këtë rol me qëllim, unë mendoj, të mirë që të afrojë sa më shumë njerëz që në një të ardhme të mund të qeverisë vendin. Mirëpo, ajo nuk mund të mohojë të arriturat e deritanishme, jo vetëm pse unë jam në këtë koalicion, apo në këtë qeveri, por duke filluar që nga decentralizimi, ligji i nënshtetësisë, përdorimi i gjuhës në të gjitha dokumentacionet sipas Marrëveshjes së Ohrit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, duhet pranuar se deri tani nuk i kemi arritur për shkak të ngarkesave që kemi patur brenda shtetit, apo përjetimeve që kemi patur, siç ishte rasti i aksidentit të Presidentit, zgjedhjet presidenciale, referendume e kështu me radhë. Por pas përfundimit të zgjedhjeve për pushtet vendor, do të shtrohet për miratim në parlament edhe ligji për simbolet kombëtare dhe ligji për përdorimin e gjuhës.

Zëri i Amerikës: Zoti Xhaferri, bojkotimi i raudit të dytë nga partitë jua, nxorri përsëri në pah përçarjet mes shqiptarëve. A do të shohim përsëri rikthimin e politikave të vjetra, të përçarjes mes partive shqiptare?

Arbër Xhaferri: Nuk ka asnjë përçarje. Ne kryejmë misionin politik që kemi në shoqërinë shqiptare. Ne kemi obligim jo të ndërtojmë unitete idilike, por të krijojmë një pozicion kritik politik, realist, që analizon dukuritë. Në Maqedoni Marrëveshja e Ohrit nuk implemtentohet dhe ne do të japim gjithnjë e më shumë argumente të fuqishme se maqedonasit arrijnë të na mashtrojnë me oferta minimale. Zgjedhjet e fundit ishin të karakterizuara me shkelje drastike të normave demokratike.

XS
SM
MD
LG