Lidhje

Jessen-Petersen viziton Bujanocin, bën thirrje për kthimin e refugjatëve


Jessen-Petersen viziton Bujanocin, bën thirrje për kthimin e refugjatëve "Ju nuk duhet të ishit këtu por në shtëpitë tuaja në Kosovë,” u tha shefi i UNMIK-ut të zhvendosurve

Çështja e kthimit të personave të zhvendosur është problemi më i rëndësishëm i Kosovës që duhet ta zgjidhin bashkarisht UNMIK-u, bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Serbisë, tha të merkuren kryedaministratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen në mbarim të vizitës që bëri në komunën e Bujanocit, në jug të Serbisë. Por një zyrtar serb nuk u pajtua me vlerësimet e shefit të UNMIK-ut.

Në një konferencë shtypi të mbajtur pas vizitës së dy qendrave me refugjatë serbë e romë nga Kosova në territorin e komunës së Bujanocit, dhe bisedimeve me zyrtarët lokalë dhe përfaqësuesit e qeverisë serbe, shefi i UNMIK-ut Jessen-Petersen tha se një numër personash të zhvendosur kanë qenë tepër të zemëruar dhe se ai i kupton arësyet. Është turp për të gjithë, tha ai, që as tani pas gjashtë vjetësh nga përfundimi i konfliktit ata ende nuk janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre dhe po jetojnë në kushte të mjerueshme. Ai paralajmëroi se UNMIK-u do t’i kushtojë të njëjtën vemendje zgjidhjes së problemit të kthimit të personave të zhvendosur dhe problemeve të pronës e të sigurisë. Ai i ftoi të gjithë të zhvendosurit që të kthehen në shtëpitë e tyre në Kosovë, duke insistuar se situata e sigurisë është përmirësuar dhe mbetet që të punohet për çështjet e pronës dhe ato juridike. "Ju nuk duhet të ishit këtu por në shtëpitë tuaja në Kosovë. Është turp për Evropën që keni qenë të detyruar të jetoni këtu gjashtë vjet, por tani duhet të ktheheni pasi situata në Kosovë është shumë më e mirë se në kohën e Kushnerit", u tha zoti Jessen-Petersen të zhvendosurve nga Kosova. Ai shtoi se të zhvendosurit nuk duhet t’u besojnë shumë mediave serbe meqenëse, sipas tij, ka pasur raste kur lajmet për dhunën ndaj serbëve në Kosovë kanë qenë të zmadhuara.

Lidhur me incidentin në fshatin Crkolez të Istogut ku është rrahur çifti Vuçiç, zoti Jessen-Petersen u kërkoi autoriteteve të Beogradit që të mos japin deklarata për kushtet e sigurisë në Kosovë, sepse hetimet janë duke vazhduar. Sipas rezultateve të hetimeve të deritashme tha ai, nuk ka kurrfarë prove që të tregojë se shqiptarët kanë lidhje me këtë rast. Kryeadministratori Jessen-Petersen konfirmoi se në Kosovë ka shqiptarë të cilët në vitin 1999 u larguan nga Presheva e Bujanoci dhe se një numër i vogël jeton nëpër qendrat kolektive ndersa shumica janë vendosur tek miqtë dhe të afërmit.

Por anëtari i Qendrës Bashkërenduese për Kosovën i ngarkuar për kthimin e të zhvendosurve, Vladimir Çuçiç nuk u pajtua me vlerësimin e gjendjes së sigurisë që paraqiti shefi i UNMIK-ut e as me deklaratën e tij lidhur me sulmin ndaj çiftit Vuçiç. Ai tha se është dakord që nuk duhen paragjykuar rezulatet e hetimeve por të dhënat rreth këtij rasti i kanë paraqitur mediat e jo Qeveria e Serbisë, tha zoti Çuçiç. Ai tha gjithashtu se nuk është në dijeni që në Kosovë të ekzistojë ndonjë kamp me refugjatë shqiptarë të zhvendosur nga Bujanoci dhe Presheva. Shefi i UNMIK-ut e bëri vizitën në Bujanoc me ftesë të Komisariatit serb për Refugjatët.

XS
SM
MD
LG