Lidhje

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia në raportin e OKB-së dhe OSBEsë për trafikun njerëzor


Trafiku njerëzor për tregëtinë e seksit dhe punë të detyruar ka shënuar rritje në Evropë, por po bëhet gjithnjë e më e vështirë që autoritetet t’i identifikojnë raste të tilla, pasi kjo veprimtari zhvillohet në mënyrë klandestine, thekson një raport i ri të publikuar sot nga Zyra e Komisioneres së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët dhe Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë.

Në raport theksohet se ky problem, i cili prek në veçanti burra, gra dhe fëmijë nga Evropa lindore, bëhet edhe më i mprehtë nga qëndrimi i qeverive të Evropës Perëndimore, të cilat i trajtojnë viktimat si shkelës te ligjit.

Në kapitullin mbi Shqipërinë, theksohet se ka shënuar rënie si numri i shtetaseve të huaja të identifikuara si viktima në vend, ashtu edhe numri i vajzave dhe grave shqiptare të trafikuara për industrinë e seksit ose i fëmijëve që dërgohen në perëndim për t’u shfrytëzuar si lypësa. Por raporti ngre shqetësimin se është rritur trafiku i grave dhe vajzave shqiptare për industrinë e seksit brenda vendit.

Një tjetër problem që ka filluar të vërehet vitet e fundit është trafikimi i meshkujve nga Shqipëria për në Greqi dhe Maqedoni ku shfrytëzohen si punëtorë të përkohshëm nga rrjete trafikante.

Raporti i ri thekson se ndër problemet kryesore është mungesa e programeve për të identifikuar viktimat e trafikut ndër personat e kthyer nga perëndimi. Shumë prej këtyre viktimave nuk kanë alternativa për ri-integrim në shoqëri, duke lënë si rrugëdalje të vetme rikthimin në jetën e prostitucionit.

Në kapitullin për Kosovën theksohet se ka rënë numri i vajzave të huaja që angazhohet me forcë në prostitucion, por po shënon rritje numri i vajzave kosovare të angazhuara në industrinë e seksit, si brenda dhe jashtë Kosovës. Megjithëse trafiku njerëzor nuk ka shënuar rënie, theksohet në raport, karakteri i tij po ndryshon, pasi tani viktimat e trafikut marrin paga mujore, në disa raste shuma të konsiderueshme, dhe shumë prej tyre thonë se tani janë angazhuar vullnetarisht në këtë veprimtari. Po ashtu duhet theksuar se ka shënuar rritje numri i fëmijëve të identifikuar si viktima trafiku.

Në kapitullin për Maqedoninë raporti vë në dukje numrin e konsiderueshëm të viktimave të huaja nën moshën 18 vjeç, disa prej të cilave nën moshën 15 vjeç si dhe ngre shqetësimin se shpesh autoritetet maqedonase nuk i trajtojnë këto vajza si viktima, duke u mohuar atyre mundësinë për të kërkuar ndihmë nga organizatat bamirëse. Raporti u bën thirje qeverive evropiane që të miratojnë politika më elastike në luftën kundër trafikut, dhe të angazhojnë burime njerëzore për të studiuar këtë fenomen, në mënyrë që lufta kundër tij të jetë sa më efikase.

XS
SM
MD
LG