Lidhje

Zgjedhja e një Pape, një proces i ndërlikuar dhe shumë sekret


Zgjedhja e një Pape të ri është një proces i ndërlikuar dhe shumë sekret. Kisha Katolike përgatitet për ritet e ndërlikuara që shënojnë përfundimin e qëndrimit të një Pape dhe fillimin e drejtimit të një Pape të ri.

Këto rite njihen me termin latin Konklave, që fjalë për fjalë do të thotë “me çelës.”

Siç nënkupton edhe emri, procesi afro 800 vjeçar i zgjedhjes së Papës së ri është shumë sekret dhe zhvillohet në ndërtesën e Vatikanit, Kapelën Sistine. Të gjithë kardinalët nën moshën 80 vjeçare marrin pjesë në konklave. Ata qëndrojnë në Vatikan gjatë gjithë procesit konklave, të shkëputur nga media dhe bota e jashtme.

Monsinjor William Kerr, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Kulturore Papa Gjon Pali i Dytë në Uashington thotë se riti sekret është një ndër proceset më të shenjta që kryhen nga kardinalët:

“Një pjesë e kohës angazhohet në lutje dhe meditime. Një pjesë tjetër për diskutime lidhur me nevojat e kishës që do të përmbushen nga udhëheqësi i ri. Dhe më së fundi vjen votimi. Ndodh që të gjithë kardinalët të votojnë për një person të vetëm, në rastet kur Shpirti i Shenjtë është aq i qartë në udhëheqjen e gjykimit të tyre. Por në më të shumtën e rasteve, nuk ndodh një gjë e tillë dhe vazhdon diskutimi, me tone shumë të njerëzishme dhe më së fundi arrihet në një mirëkuptim”.

Aktualisht 117 kardinalë kanë të drejtën të marrin pjesë në konklave, e cila fillon zakonisht 15-20 ditë pasi vdes Papa.

Për zgjedhjen e Papës së ri duhet që kandidatura e tij të mbështetet me një votë më shumë se dy të tretat e kardinalëve. Nëse nuk arrihet një konsensus pas 12 ditësh, udhëheqësi i ri i Kishës Katolike zgjidhet me konsensus.

Sapo zgjidhet Papa, kardinalët i dërgojnë sinjal botës duke djegur fletëvotimet e tyre, të cilat lëshojnë tym të bardhë mbi Vatikan.

Kardinalët kanë mbërritur në Romë, një shenjë që kanë filluar përgatitjet për konklaven.

Para se të mbërrinte në Vatikan, kardinali Theodore McCarrick, kryepeshkopi i Washingtonit, tha se kushdo që të zgjidhet do të pasojë një udhëheqës të madh:

“Unë jam një ndër 117 kardinalët, që do të shkojmë në Romë dhe me ndihmë të Zotit të zgjedhim dikë, i cili do të pasojë këtë Papë të madh”.

Megjithëse procesi konklave shoqërohet me shumë spekulime, kardinalët si dhe zyrtarë të tjerë të Kishës Katolike nuk lenë aspak të kuptohet se kush do të jetë udhëheqësi i ri shpirtëror i një miliardë katolikëve të botës. Kardinalët bëjnë betimin për të ruajtur sekretin për të gjithë procesin, përndryshe rrezikohen të përjashtohen nga Kisha. Monsinjor Kerr thotë se shpesh herë njerëzit mbeten të çuditur nga personi i zgjedhur si Papë:

“Mendoj se askush nuk do të kishte menduar të zgjidhej një polak nga Krakovi si Papë radhën e kaluar. Në fakt, nëse shikon listën që flitej se do të shërbente si bazë për zgjedhjen e Papës së ri, shumë radhë kishte ndonjë person që nuk ishte italian. Më pas, krejt papritur u zgjodh si Papë një polak. Tani ngrihet pyetja, a do të jetë Papa i ri nga Afrika apo nga Amerika Latine?”

Për momentin këto janë vetëm spekulime dhe konklavet gjatë gjithë historisë kanë përfunduar me rezultate të papritura për vëzhguesit.

XS
SM
MD
LG