Lidhje

Kjo javë në Hollivud


Në zhvillimet e fundit në botën e argëtimit: ata që shpresuan se Jennifer Aniston dhe Brad Pitt mund t’i kapërcenin mosmarrëveshjet, mund të zhgënjehen nga të rejat e fundit nga çifti i famshëm. Më tej: burrat e planetit, ose të paktën disa prej tyre, japin votën e tyre për gruan më seksi në botë. Po ashtu, disa nga emrat më të njohur të Hollivudit, bëhen banorë të një qyteti mëkatesh, por vetëm për hir të një filmi të ri, që sjell revolucion teknologjik për të krijuar imazhin e së kaluarës.

Me gjithë shpresat e admiruesve për një ribashkim të mundshëm, aktorja Jennifer Aniston depozitoi në gjykatë kërkesën për divorc nga Brad Pitt, duke përmendur si arsye mospërputhjet në karakter. Një nga çiftet më të preferuara të Hollivudit deklaroi ndarjen që në janar, me një deklaratë të përbashkët. 36 vjeçarja Aniston dhe 41 vjeçari Pitt u martuan më 29 korrik 2000 dhe nuk kanë fëmijë. Marrëdhënia e tyre filloi në vitin 1998. Aktorët u martuan në Malibu në breg të Oqeanit Paqësor dhe mes 200 të ftuarve ishin aktorja Cameron Diaz dhe shumica e aktorëve të tjerë të komedisë Friends, ku Aniston ishte protagoniste për rreth 10 vjet. Deri në momentin kur çifti deklaroi ndarjen, kishte thashetheme se Anistin mund të ishte shtatzënë. Edhe ata vetë e kishin shprehur dëshirën që të kishin fëmijë.

Përveç rolit në Friends, Aniston ka interpretuar në filmat Along came Polly, Bruce Almighty dhe Good Girl. Ndërsa Pitt ka qenë protagonist në filma si Ocean’s Eleven, Fight Club, Meet Joe Black, Seven Years in Tibet, Sleepers, 12 Monkeys, Legends of the Fall, A River Runs through It dhe Thelma dhe Louise.

Në valën e thashethemeve për arsyet e ftohjes mes Jennifer Anistonit dhe Brad Pititt, para dhe pas deklarimit të ndarjes, u përmend edhe emri i aktores tërheqëse Angelina Jolie, që interpretoi me Pittin në filmin Mr. and Mrs. Smith. Në fakt aq tërheqëse është Jolie, saqë siguroi këtë vit titullin, nëse mund ta quajmë kështu, Gruaja më Seksi në Botë.

Një sondazh i revistës për burra FHM, e radhiti aktoren 29 vjeçare në krye të listës me 100 finaliste. Kryredaktori i revistës Scott Gramling thoshte në një deklaratë se Angelina Jolie mishëron gjithçka që lexuesit e revistës e konsiderojnë jashtëzakonisht sexy. Ajo jo vetëm që është shumë e bukur, por edhe e zgjuar, i shpreh hapur mendimet e saj, i ndjek me pasion bindjet e saj dhe është e respektuar në gjithë botën për përpjekjet e palodhura në mbrojtje të fëmijëve refugjatë. Jolie është ambasadore nderi e agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët dhe ka adoptuar një djalë nga Kamboxhia, Maddox. Ajo ka thënë se ka në plan të birësojë një fëmijë tjetër dhe se Maddoxi do një vëlla afrikan. Për përzgjedhjen e 100 grave më seksi të botës për vitin 2005, votuan 15 milionë lexues të revistës në 27 vende. Pas Jolie-së u radhitën Jennifer garner, Paris Hilton, Charlize Theron, Halle Berry, Alysse Milano, Teri Hatcher, Pamela Anderson, Scarlett Johansson dhe Lindsay Lohan. Në listë përfshihen gjithashtu aktorja britanike Keira Knightley, ylli i tenisit, rusja Maria Sharapova dhe aktorja latine Sofia Vergara. Fituesja e vitit të kaluar, Britney Spears këtë vit as nuk arriti të përfshihej në 100-she. Filmi i ri Sin City, qyteti i mëkateve, që e ka marrë frymëzimin nga një roman grafik, mori jetë nga një trupë yjesh të Hollivudit.

Banorët e një qyteti mëkatesh

Bruce Willis, Benicio del Toro, Clive Owen, Brittany Murphy, Rosario Dawson dhe Mickey Rourke janë banorët e qytetit tërheqës krijuar për libra komikë nga Frank Miller, i cili së bashku me Robert Rodriguez janë regjisorët e filmit. Miller për një kohë të gjatë nuk pranoi që të shiste të drejtat për xhirimin e filmit Sin City, por Rodriguez ia mbushi mendjen duke i treguar disa skena që tani përbëjnë fillimin e filmit.

Mes karaktereve janë Hartigan, që interpretohet nga Bruce Willis, një polic me një problem në zemër që është betuar të mbrojë një vajzë që punon në një klub nate, interpretuar nga Jessica Alba. Një gangster rrugësh Marv i interpretuar nga Mickey Rourke që është i vendosur të hakmerret për vrajsen e së dashurës, një fotograf Dwight, luajtur nga Clive Owen që të zhdukë gjurmët e pjesëmarrjes së tij në vdekjen aksidentale të një oficeri policie.

Për të krijuar imazhin e një historie nga e kaluara, Rodruguez përdori teknologjitë e fundit, çka do të thotë se praktikisht gjithçka përveç aktorëve është realizuar me kompjuter. Edhe regjisori Quentin Tarantino drejtoi një segment të filmit, dhe thuhet se mori vetëm 1 dollar shpërblim në këmbim të muzikës së filmit Kill Bill 2, që Rodriguez ia kishte kompozuar me të njëjtin shpërblim, pra një dollar.

XS
SM
MD
LG