Lidhje

Drejtori i divizionit të Euro-Azisë në Zërin e Amerikës, flet për kontributin e Papës në përmbysjen e komunizmit


Ted Lipien, shefi i divizionit të Euro-Azisë në Zërin e Amerikës, pjesë e së cilit është edhe shërbimi shqip, e njeh mirë kontributin e Papës sidomos në përmbysjen e komunizmit në Poloni, nga ku është edhe vetë zoti Lipien, dhe në gjithë Evropën Lindore dhe Qendrore. Ai e ka takuar disa herë Atin e Shenjtë dhe ne e pyetëm për përshtypjet e tij për Papën si njeri dhe bashkëkombas i tij, si edhe për trashëgiminë e tij.

Zëri i Amerikës: Zoti Lipien, ju jeni takuar disa herë me Papa Gjon Palin dhe ju vini nga i njëjti vend, nga i cili vjen edhe ai. A mund të na flisni pak për përshtypjet tuaja personale për Papën?

Ted Lipien: Papa Gjon Pali i Dytë është shumë karizmatik, ai lë përshtypje tek të gjithë ata që e takojnë, dhe unë pata privilegjin ta takoja disa herë, para dhe pasi u bë Papë. Gjithmonë kam dalë nga ato takime me përshtypjet më të mira për personalitetin e tij, nga besimi i tij i fortë dhe mund të them se ai ka qenë një Papë i mrekullueshëm.

Mendoj se ai është ndryshe nga Papët e mëparshëm, sepse historia e jetës së tij ishte e ndryshme, për shkak të përvojave personale të tij gjatë Luftës së Dytë Botërore, pushtimi nazist i Polonisë, nga jeta e tij nën komunizëm dhe këto dy përvoja tragjike, mendoj se ndikuan në mënyrën e tij të të menduarit, këndvështrimin ndaj jetës, fesë, Zotit. Ai ka thënë se është plotësisht i bindur se tragjeditë e mëdha të shekullit të 20-të kanë ndodhur për shkak të humbjes së besimit të njerëzve tek Zoti. Mendoj se Papa Gjon Pali ia kushtoi gjithë vitet e tij si Papë në theksimin e idesë për shenjtërinë e jetës, nevojën për të mbrojtur jetën; ai mendonte se kjo ide mund të realizohej këtë ide përmes besimit tek Zoti dhe fesë. Kështu ai ishte kundër abortit dhe eutanazisë, ose dhënia fund jetës së pacientit, me kërkesën e tij, me ndihmën e të tjerëve.

Ai mendonte se kur lidhja mes besimit dhe jetës njerëzore cungohet, njerëzit nuk e shohin më jetën si diçka të shenjtë dhe genocidi dhe krime të tjera mund të ndodhin shumë më lehtësisht.

Një nga angazhimet e tjera të mëdha të Papës ka qenë dialogu ndërfetar, ai donte të realizonte pajtimin me Kishën Ortodokse dhe kisha të tjera të krishtera. Ai bëri përpjekje gjithashtu për t’u afruar me myslimanët dhe besonte shumë tek mënyrat paqësore në zgjidhjen e problemeve.

Sipas pikëpamjes sime arritja më e madhe e tij ishte kontributi në përmbysjen e komunizmit në Poloni dhe më pas në gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore dhe më në fund në Bashkimin Sovjetik. Dhe edhe në këtë drejtim ai mbronte mënyrën paqësore, pa dhunë dhe respektin për të drejtat e njeriut.

Zëri i Amerikës: Ju përmendni rolin e Papa Gjon Palit në përmbysjen e komunizmit në Evropën Juglindore. A mund të na flisni më konkretisht për këto përpjekje?

Ted Lipien: Udhëtimi i tij në Poloni, pasi ai u bë Papë ndryshoi gjithçka. Para kësaj, njerëzit atje sigurisht që ishin ngritur në revolta disa herë kundër regjimit komunist. Gjithmonë këto revolta përfundonin me akte dhune. Por mendoj se vizita e tij shërbeu për t’i dhënë energji gjithë vendit, dhe përcolli tek njerëzit ndjenjën e dinjitetit, kjo ishte një nga aftësitë e tij me karizmën dhe personalitetin e tij. Pas vizitës së tij njerëzit u bindën se kishin forcën për të sjellë ndryshim, gjë që nuk e kishin para se të shkonte ai. Dhe sigurisht, që mesazhi i tij për të drejtat dhe dinjitetin njerëzor i ngjalli këto ndjenja. Pastaj ngjarjet pasuan njëra-tjetrën, me lindjen e lëvizjes së Solidarnostit dhe më pas ndryshime të tjera në vende të tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore. Nuk mendoj se ndikimi i tij ishte aq i madh në Rusi, sepse ai vend kishte një lloj tjetër regjimi komunist dhe ishte ortodoks, por mendoj se ndryshimet në Poloni patën ndikimin edhe në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, me rënien e të cilit gjendja ndryshoi në mënyrë drastike.

Zëri i Amerikës: Papa Gjon Pali ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në ngjarjet më të mëdha botërore dhe për çështje shumë delikate e për të cilat është hapur shumë polemikë, çështje që kanë të bëjnë me luftën, apo me jetën dhe vdekjen, probleme të tilla madhore. Cili mendoni se ka qenë roli i tij?

Ted Lipien: Në fakt kundërshtarët e tij nuk e kanë pranuar ndikimin e tij. Veçanërisht gjatë viteve të para të Papatit të tij, shumë njerëz në perëndim nuk ishin gjithmonë dakord me qëndrimin e tij ndaj abortit, të drejtave të grave dhe ndaj luftës dhe paqes. Ai pa dyshim që ka qenë një pacifist dhe kishte bindje të plotë tek mënyrat paqësore.

Duke pasur këto ide, ai ka kundërshtuar pothuajse çdo luftë që u ndërmor gjatë papatit të tij. Ai kundërshtoi politikat amerikane në disa raste, kur diskutohej a duhej filluar, ose jo një luftë.

Mendoj se herët e vetme kur ai nuk doli hapur kundër një konflikti të armatosur, ishin së pari me ndërhyrjen në Bosnje dhe pastaj me konfliktin në Kosovë.

Mendoj se në parim ai ishte kundër luftës dhe ndoshta edhe atëherë nuk i pëlqente që po ndërmerreshin këto konflikte, por nuk ai nuk i kundërshtoi me forcë këto konflikte, ndryshe nga raste të tjera.

Zëri i Amerikës: Përsa i takon rolit të Papës në Kishën Katolike, cila mendoni se është trashëgimia e tij, në Kishën Katolike, në Vatikan dhe tek pasuesit e tij, besimtarët katolikë në gjithë botën?

Ted Lipien: Ai ka emëruar numrin më të madh të kardinalëve që do të zgjedhin pasuesin e tij. Ai ka zgjedhur njerëz që kanë ide të ngjashme me të tijat, për çështje shoqërore, për çështje që kanë të bëjnë me moralin. Kështuqë, mendoj se trashëgimia e tij mund të shihet tek pasuesi i tij, megjithëse nuk mund të jemi kurrë 100 për qind të sigurt, se kush do të zgjidhet dhe si do të veprojë.

Një trashëgimi tjetër e papatit të tij, do të jetë patjetër rënia paqësore e komunizmit dhe përmbysja e tij në Evropën Qendrore dhe Lindore, rënia e komunizmit në Rusi.

Është e vështirë të thuhet se çfarë drejtimi do të marrë kisha, nën pasuesin e tij, nëse do të vazhdojë në gjurmët e tij tradicionale dhe konservatore, apo do të marrë drejtim tjetër.

XS
SM
MD
LG