Lidhje

Jeta e Papa Gjon Palit të Dytë


Papa Gjon Pali i Dytë vdiq në Romë në moshën 84 vjeçare. Korrespondentja Sabina Castelfranco njofton për Zërin e Amerikës se kardinali më i ri i zgjedhur në postin e udhëheqësit shpirtëror të Kishës Katolike ishte përkrahës i vendosur i vlerave konservatore shoqërore si edhe mbrojtës i patundur i të varfërve dhe të shtypurve në botë.

Papa Gjon Pali i Dytë u zgjodh në vitin 1978. Kur tymi i bardhë doli nga oxhaku i Kapelës Sistine më 16 tetor të atij viti, bota u habit kur mësoi se Papa i sapo zgjedhur ishte nga Polonia komuniste, i pari jo-italian i zgjedhur në atë post në më shumë se 450 vjet.

Kardinalëve iu nevojiten dy ditë dhe tetë votime për të zgjedhur udhëheqësin e ri të Kishës Katolike. Por, vetëm një numër shumë i vogël njerëzish të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit e dinin se kush ishte Papa i ri. Kardinali amerikan, Edmund Szoka, ishte mes atyre që mbetën të habitur.

“Nuk mund të besoja. Nuk e prisja kurrë, që ai të zgjidhej në postin e papës.”

Karol Vojtila mori emrin Papa Gjon Pali i Dytë. Ai ishte vetëm 58 vjeç kur foli para të pranishmëve në Sheshin Shën Pjetri, Papa më i ri në shekullin e 20-të.

“Mos kini frikë”, u tha ai menjëherë besimtarëve. Ky mesazh ishte i rrënjosur thellë në përvojën personale të papës së ri.

Karol Vojtila lindi më 18 maj të vitit 1920 në Vodovice të Polonisë. Në rini, ai ishte sportist shumë i mirë dhe i pëlqente teatri.

Kur shpërtheu Lufta e Dytë Botërore, ai ishte student në Univesitetin e Krakovit. Por, kur Karoli vendosi të bëhej prift në vitin 1942, nazistët kishin ndaluar mësimet fetare, kështu që ai u detyrua të mësonte dhe të përgatitej fshehurazi.

Në vitin 1964 ai ishte arkipeshkvi i Krakovit dhe tre vjet më vonë u bë kardinal. Që nga dita kur u zgjodh në postin e Papës, ishte e qartë se kleriku polak do të linte gjurmë të thella në historinë e Evropës Lindore.

Arkipeshkvi amerikan, John Foli, beson se Papa Gjon Pali i Dytë ishte një nga faktorët kryesorë që çuan në shëmbjen e komunizmit:

“Për mendimin tim, ngjarja më e rëndësishme ishte vizita e parë e Papës Gjon Palit të Dytë në vendlindjen e tij, Poloni, në vitin 1979. Unë, theksoi arkipeshkvi Foli, mendova në atë rast se ai udhëtim shënonte fundin e komunizmit.”

Papa Gjon Pali i Dytë ishte njeri dinamik dhe i afrueshëm. Ai udhëtoi në gjithë botën, duke komunikuar në tetë gjuhë. Ai tha mesha dhe shpalli më shumë se 450 shënjtorë të rinjë.

Miliona besimtarë kanë shkuar për ta parë atë. Papa ka thënë se mbresat më të thella nga të gjithë udhëtimet e tij ishin tubimet masive të besimtarëve të të gjitha ngjyrave dhe racave.

Por, ndoshta zemra e tij merakosej më së shumti për të rinjtë e botës: “E ardhmja e botës shkëlqen në sytë tuaj”, u thoshte ai të rinjëve.

Mirëpo, këmbëngulja e tij për t’u afruar sa më shumë me turmat e besimtarëve çoi gati në vdekjen e tij në vitin 1981, kur një turk e plagosi atë rëndë. Nga shtrati i tij në spital, Papa Gjon Pali i Dytë e fali personin që u përpoq ta vriste.

Një nga udhëtimet më të paharrueshëm të papës ishte vizita në Kubën komuniste në vitin 1998. Vizita i dha fund izolimit ndërkombëtar të ishullit dhe rriti shpresat e kubanëve për liri më të madhe fetare.

“Një shtet modern, nuk mund ta bëjë atezimin apo fenë një nga pikëpamjet e tij politike.”

Papa Gjon Pali i Dytë foli kundër luftrave në Lindjen e Mesme, në Ballkan dhe në Afrikë. Ai u bëri thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësve botërorë që të përdorin rrugët paqesore për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Por, kur bëhej fjalë për çështje shoqërore, Papa mbante një qendrim të patundur konservator. Ai kundërshtonte me forcë kontrollin artificial të shtatëzanisë, abortin, shugurimin e grave priftëresha dhe martesën e klerikëve.

“Nëse e drejta e një personi për të jetuar shkelet në momentin e krijimit të tij në mitrën e nënës, kjo përbën një goditje të rëndë edhe kundër rendit moral në tërësi.”

Papa Gjon Pali i Dytë bëri përpjekje të mëdha për të përmirësuar marrëdhëniet me të krishterë të tjerë dhe besime të tjera fetare. Ai ishte Papa i parë që vizitoi një sinagogë dhe kërkoi ndjesë në emër të katolikëve që nuk arritën të ndihmonin hebrenjtë kundër përndjekjes naziste.

Mesazhi mbizotërues i Papës Gjon Palit të Dytë për Kishën Katolike ishte ai i shpresës dhe i pajtimit:

“Mos kini frikë. Fuqia e Shpirtit të Shenjtë është me ju. Amin.”

XS
SM
MD
LG