Lidhje

Presidenti Bush: bota humbi një mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe lirisë


Presidenti Bush tha se, me vdekjen e Papës Gjon Pali i Dytë bota ka humbur një mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe lirisë dhe një nga udhëheqësit më të mëdhenj shpirtërorë.

Presidenti i bëri këto komente në një deklaratë të shkurtër të shtunën në Shtëpinë e Bardhë, para se ai dhe Zonja e Parë, Laura Bush, të merrnin pjesë në meshë për Papën në Washington.

Presidenti dha urdhër për ngritjen e flamujve në gjysëm shtize në nderim të kujtimit të Papës deri në perëndimin e ditës kur ai do të varroset.

Ish-presidentët Bill Clinton dhe Jimmy Carter bënë deklarata ku shprehnin keqardhjen e thellë për vdekjen e Papës. Po ashtu, një deklaratë në kujtim të Papës bëri edhe ish-kandidati presidencial, Senatori John Kerry.

Papa e kundërshtoi luftën në Irak nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara, por Presidenti Bush dhe ai kishin pikëpamje të përbashkëta konservatore lidhur me çështje sociale. Papa frymëzoi miliona amerikanë të besimit katolik dhe u prit me nderim të madh nga turmat e amerikanëve, kur vizitoi Shtetet e Bashkuara.

Me fillimin e zisë nëntë ditëshe në Vatikan, udhëheqës nga mbarë bota po dërgojnë mesazhe ngushëllimi, të cilat theksojnë gjithashtu kontributin dhe rolin që luajti Papa Gjon Pali i Dytë.

Ish-presidenti amerikan George Herbert Bush tha se do ta ndjehet mungesën e fuqisë, vendosmërisë dhe udhëheqjes së Papës në këtë botë të trazuar.

Ndërsa i biri i ish-presidentit, guvernatori i Floridës, Jeb Bush, i cili disa vjet më parë u konvertua në katolik, thotë se Papa ishte zëri moral i botës, i cili e udhëhoqi atë në bazë të normave të besimit dhe duke u mbështetur tek e vërteta absolute.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se Papa ishte një figurë e shquar, dhe se roli i tij si udhëheqës shpirtëror dhe në arenën politike do të zërë një vend të rëndësishëm në histori. Ish-presidenti sovjetik Mikhail Gorbaçov e cilësoi Papën si humanistin më të madh të planetit.

Ndërkaq, Patriarku Aleks i Kishës Ortodokse Ruse, i dërgoi mesazh ngushëllimi Vatikanit, ku thekson se besimtarët ortodokës rusë po mbajnë zi për vdekjen e Papës së bashku me katolikët e tjerë. Patriarku Aleks tha se shpreson që Kisha Ortodokse dhe ajo katolike do të arrijnë të ringjallin marrëdhëniet e respektit dhe dashurisë vllazërore të krishterë në të ardhmen pas zgjedhjes së papës së ri.

Ish-presidenti polak dhe udhëheqës i Lëvizjes Solidarnos Lech Valesa vlerësoi kontributin e Papës në rënien e komunizmit në Evropën Lindore.

Mbretëresha Elizabetë e Anglisë nderoi kontributin e Papës për unitet ndërmjet të gjithë besimtarëve të krishterë.

Presidenti palestinez, Mahmud Abaz, lavdëroi qëndrimin e Papës në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së territoreve palestineze, ndërsa ministri i jashtëm izraelit, Silvan Shalom, tha se Papa ndihmoi në ndërtimin e urave lidhëse të vëllazërimit ndërmjet të gjithë besimeve.

Në Azi, presidentja Gloria Arrojo e Filipineve - vendi me një popullsi katolike që përbën 2 të tretat e katolikëve aziatikë - tha se populli filipinas është mbushur me trishtim për vdekjen e Papës. Vizita e Papës në këtë vend në vitin 1981 konsiderohet si nxitja e valës së Revolucionit Popullor që i dha fund regjimit të Markosit.

Ngushëllime përcollën edhe udhëheqës të Australisë, Zelandës së Re, si dhe Taivanit, Tailandës, Japonisë, Indonezisë dhe vendeve të tjera aziatike.

Presidenti i Kubës Fidel Kastro ka dhënë urdhër për tre ditë zie me rastin e vdekjes së Papës, një masë e pazakontë në këtë vend komunist. Papa Gjon Pali i dytë vizitoi Kubën në vitin 1998 dhe është vlerësuar nga Havana për atë që qeveria e Kastros e cilëson si kundërshtim të Atit të Shenjtë ndaj kapitalizmit neo-liberal.

Ende nuk janë përfunduar planet për funeralin e Papës, por autoritetet në Romë po përgatiten për ardhjen e afro 2 milion vetëve me rastin e ceremonive. //az//

XS
SM
MD
LG