Një i dërguar i lartë i Kombeve të Bashkuara thotë se Siria është zotuar të tërheqë të gjitha trupat dhe agjentët e saj të zbulimit nga Libani brenda këtij muaji.
I dërguari i posaçëm, Terje Roed Larsen, e bëri të ditur angazhimin e Sirisë pas takimit me presidentin e Sirisë Bashar al-Asad. Ai tha gjithashtu se një ekip i Kombeve të Bashkuara do të verifikojë tërheqjen e trupave, nëse Beiruti e pranon këtë ofertë.
Siria është ndeshur me trysni ndërkombëtare në rritje për të tërhequr trupat e saj që pas vrasjes më 14 shkurt të ish-kryeministrit Rafik Hariri.
Udhëheqësit e opozitës e kanë akuzuar Beirutin dhe përkrahësit e tij sirianë se kanë patur gisht në shpërthimin që shkaktoi vdekjen e manjatit miliarder, një akuzë që të dyja qeveritë e kanë hedhur poshtë.
Tërheqja siriane filloi muajin e kaluar, pas protestave masive që vazhduan për disa ditë në Beirut. Të gjitha forcat siriane janë larguar nga pjesa perëndimore e Libanit. Megjithatë, ende ka trupa të dislokuara në kufirin libanez në pritje të urdhërave të mëtejshme. //az//