Lidhje

Imzot Mark Sopi: Papa Gjon Pali tregoi kujdes të veçantë për popullin e Kosovës

  • Laura Konda

Zëri i Amerikës: Imzot, ju keni patur fatin të takoheni disa herë me Papa Gjon Palin e Dytë. Cilat veçori të personalitetit të tij ju kanë bërë më tepër përshtypje gjatë këtyre takimeve?

Imzot Mark Sopi: Pështypja më e madhe për Papën ka qenë afërsia e tij me çdo njeri e në veçanti me ipeshkivit, të cilët i ka konsideruar si bashkëpunëtorë të ngushtë të vet në ”vreshtën e Krishtit”, në vendet e caktuara për të drejtuar popullin e Zotit.

Zëri i Amerikës: Imzot, si do ta vlerësonit qëndrimin e Papa Gjon Palit para dhe gjatë luftës në Kosovë?

Imzot Mark Sopi: Papa, si at shpirtëror i mbarë katolikëve dhe gjithashtu edhe i pjesës sonë, ka treguar një kujdes të veçantë për popullin e Kosovës. Në vitet ’90, kur u rritën tensionet politike dhe u mohoshin të drejtat e njeriut, ai me apelin e vet, me apelet e ndryshme dhe rrugët diplomatike, është përpjekur që kjo me të vërtetë të mos ndodhë dhe populli i Kosovës të gëzojë lirinë e plotë. Dikur më vonë, kur filluan kohëra dhe vitet më të vështira, ai përsëri nuk pushoi me intervenimet e veta që të ndikojë, që pa marrëveshje, konfliktet mes popullit të Kosovës dhe regjimit diktatorial të Millosheviçit, të gjendet një zgjedhje paqësore, e cila të shërbejë për të mirën e të gjithëve, si për kosovarët, por gjithashtu edhe për shtetin e tij. Por, mjerisht, faktet na tregojnë se nuk u arrit ajo. Edhe gjatë luftimeve, ai dërgoi ministrin e vet, Arkipeshkvin prej Rome, që u përpoq prapë të pushonin bombardimet dhe mos të bëheshin shkatërrime edhe më të mëdha, por në mënyrë paqësore, të zgjidhej konflikti. Edhe kjo nuk pati sukses. Papa tregoi kujdesin e vet shumë të madh për të gjithë kosovarët, por në veçanti, ata të cilët u detyruan të largohen nga trojet dhe shtëpitë e veta, dhe duke organizuar organizata e ndryshme karitasi, që të pranonin, të prisnin, t’u vinin në ndihmë të gjithë shqiptarëve, kudo që t’i takonin, për t’u lehtësuar vuajtjet që i shkaktoi një regjim aq i aspër dhe diktatorial. Për këtë ata i janë mirënjohës, të gjithë shqiptarët e Kosovës, jo vetëm ata katolikë, por gjithashtu edhe të besimit mysliman. Ka patur raste të shpeshta, kur njerëzit kanë thënë: kisha Katolike na shpëtoi, ju lutemi t’i përcillni Papës mirënjohjen dhe falënderimet tona, për të gjitha sa bëri për ne. Papa nuk pushoi së kujdesuri për popullin kosovar, edhe për kthimin e tyre, gjithashtu duke angazhuar organizata dhe duke u angazhuar edhe vetë, me mënyra të ndryshme, për gjërat më elementare të jetës, si ushqimi, veshmbathja dhe për të patur një kulm mbi kokë. Papa tregoi një kujdes të veçantë kur emëroi edhe ipeshkvin kosovar që të kujdeset për Kishën Katolike të Kosovës, për besimtarët katolikë të Kosovës, e cila varet tërësisht nga Vatikani, krejtësisht të lirë nga aspektet e tjera.

XS
SM
MD
LG