Lidhje

SHBA: Ati i Shenjtë në sytë e besimtarëve katolikë amerikanë


Besimtarët katolikë këtu në Shtetet e Bashkuara, si kudo në botë, e përcollën me dhimbje lajmin për vdekjen e Papës. Në materialin në vazhdim i hedhim një vështrim marrëdhënieve ndërmjet Atit të Shenjtë dhe besimtarëve katolikë amerikanë.

Më shumë se 65 milion amerikanë i përkasin besimit katolik. Në vitet e fundit, kisha katolike në Shtetet e Bashkuara është tronditur nga skandale për abuzime seksuale si dhe debate lidhur me të drejtën e jetës, vdekjes, planifikimit familjar dhe divorcit. Betty Rivera, e fesë katolike, thotë se vetë besimi i saj e mban pranë Kishës. Ajo e vlerëson rolin udhëheqës të Papa Gjon Palit të Dytë, pavarësisht nga problemet që ka ndeshur kisha katolike në Shtetet e Bashkuara.

“Megjithë polemikat dhe skandalet që kanë ndodhur, ne kemi mbajtur gjithmonë në zemër dashurinë për Zotin. Vëmendja jonë duhet përqëndruar tek Zoti. Njerëzit janë të dobët, ne bëjmë gabime dhe do të vazhdojmë të bëjmë gabime. A duhet të themi se si rrjedhojë e gabimeve tona dhe gabimeve të priftërinjve, ne duhet t’i kthejmë shpinën Kishës dhe Zotit? Unë nuk mendoj kështu. Për mendimin tim, vepra e Papës na tregon se megjithë këto probleme që ka ndeshur Kisha, ne duhet të vazhdojmë të besojmë tek Zoti dhe ajo që përfaqëson Ai,” thotë besimtarja Rivera.

Kardinali Theodor McCarrick, Kryepeshkopi i Washingtonit thotë se Kisha Katolike në Amerikë ka kaluar një periudhë purifikimi të thellë gjatë Papatit të fundit: “Purifikimet gjithmonë janë të vlefshme. Mendoj se ne kishim nevojë për një përvojë të tillë për t’u bërë më të përulur. Këto incidente na dhanë mundësi të shihnim qartë natyrën tonë. Ne jemi të dobët, por e kemi të qartë se me ndihmën e Zotit mund të arrijmë shumë gjëra. Kishat janë plot me besimtarë. Po ndodhin shumë ndryshime. Mendoj se Kisha po përjeton një Pranverë të dytë. Ndoshta këto fjalë tingëllojnë naive, por unë e shoh qartë këtë prirje të re. Është si ajo pema që duhet ta krasisësh nga pak që të rritet më e shëndetshme. Mendoj se Kisha jonë do të bëhet më e shëndetshme. Kisha Katolike në Shtetet e Bashkuara do të vazhdojë të jetë shërbëtore e vyer të varfërve, shërbëtore e vyer e Zotit, si dhe shërbëtore e popullit,” thotë zoti McCarrick.

Kardinali McCarrick e ka njohur Papën që në vitin 1976. Në ditët e fundit kisha që drejton ai ka pasur disa herë më shumë besimtarë se zakonisht.

Fernando Sandoval mendon se Vatikani ka marrë tipare monarkike. Ai thotë se kisha duhet të moderojë mësimet e saj për t’i bërë më moderne në përshtatje me zhvillimin e shoqërisë: “Unë besoj në shumë prej mësimeve të Kishës, por ne nuk jetojmë në Vatikan si udhëheqësit e lartë të Kishës. Vatikani është disi arkaik dhe duhet të përjetojë transformime për t’iu përshtatur ndryshimeve të shekullit,” thotë zoti Sandoval.

Katolikët në Amerikë mund të mos e shohin njësoj devotshmërinë e tyre ndaj Kishës, por në këtë ditë ata janë të bashkuar në lutjet dhe dhimbjet që ndjejnë për vdekjen e Papës, si një udhëheqës i madh dhe i përulët shpirtëror i Kishës katolike.

XS
SM
MD
LG