Lidhje

Kush do të jetë Papa i ri që do të pasojë Karol Vojtilën


Kush do të jetë papa i ardhshëm? Asnjë amerikan nuk është pretendent, por ka një listë të gjatë kandidatësh nga e mbarë bota. Në ditët që vijnë, 117 kardinalë do të votojnë për Papën e ri. Më shumë kandidatë janë prej Evropës, por se kush do të jetë udhëheqësi i ri i Kishës Katolike, mbetet çështje e hapur.

Detyrë tepër e vështirë për kardinalët e Kishës Katolike! Vdekja e Papës Gjon Pali u ka lënë detyrën e vështirë të zëvendësimit të një figure të madhe. “Zbulimi i një person me aq talente si Karol Vojtilla duket mjaft i vështirë tani për tani”,” thotë Kardinali James Francis Stafford.

Wilton Win, ekspert për çështje të Papatit nuk mendon se mund të gjendet një kandidat i ri si Kreu i kishës, i cili të jetë aq i kompletuar sa Papa Gjon Pali. Të paktën, ai duhet të përpiqet të jetë i ndryshëm.

Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme të papëve, tani nuk ka një figurë që të dallohet mbi të tjerët. Prej 26 vjetësh e gjysëm nuk është zgjedhur asnjë papë dhe asnjë kardinal nuk trashëgon ndikim nga zgjedhjet e kaluara. Ndërmjet kandidatëve të shumtë përmendet Dionigi Tettamanzi. Ky kardinal nga Gjenova do ta rikthente papatin nën drejitmin e një italiani. Një italian tjetër - Angelo Cardinal Scola nga Venecia - shihet si person që mund të zgjidhet.

Po a ekziston mundësia e një pape zezak? Kardinali nigerian, Francis Arinze, konsiderohet si kandidat. Arinze ka qenë mik i ngushtë i Papës Gjon Pali dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në përmirësimin e dialogut të Vatikanit me myslimanët, budistët dhe me grupet hindu.

Kardinali gjerman, Joseph Ratzinger, shikohet nga ekspertët si një nga kandidatët e mundshëm. Por pikëpamjet e tij tepër konservatore dhe mosha e shtyrë mund të ndikojnë negativisht në kandidaturën e tij gjatë procesit të votimit në Kapelën Sistine.

Ekspertët thonë se zgjedhja e papës së ri do të përfshijë një listë të gjatë kandidatësh dhe rrallë zgjidhen pretendentë kryesorë. Ndër çështjet që papa i ri duhet të trajtojë janë: përhapja e islamit dhe nëse priftërinjtë duhet të lejohen të martohen - detyra këto mjaft të vështira, por ndoshta jo më të vështira se arritja e standarteve të vëna nga Papa Gjon Pali i Dytë.

XS
SM
MD
LG