Lidhje

Shqipëria mban zi për Papa Gjon Palin e Dytë


Në Shqipëri u mbajt të hënën ditë zie kombëtare në nderim të figurës së Papa Gjon Palit II. Vendimi ishte marrë nga qeveria shqiptare. Në të gjithë institucionet publike flamuri u ul në gjysëm shtizë. Parlamenti nga ana e tij vendosi të mos e zhvillojë seancën e parashikuar për sot pasdite.

Autoritetet shtetërore dhe politike kanë shprehur hidhërim për vdekjen e Papa Gjon Palit, i cili është i vetmi Papë në histori që ka vizituar Shqipërinë. Vdekja e Papa Gjon Palit të II vazhdon të mbizotërojë atmosferën edhe në Shqipëri.

Sipas vendimit të marrë nga qeveria shqiptare dy ditë më parë sot në të gjithë vendin u mbajt zi kombëtare. Sipas rregullit, flamuri kombëtar është ulur në gjysëm shtizë dhe janë pezulluar të gjitha aktivitetet kulturore dhe sportive. Edhe parlamenti shtyu seancën e sotme plenare, në nderim të kujtimit të Atit të Shenjtë. Vendimi u mor me konsensus nga konferenca e kryetarëve dhe punimet e parashikuar për sot pasdite do të mbahen nesër.

Një delegacion i lartë nga Shqipëria do të marrë pjesë në ceremonitë funebre të Atit të Shenjtë. Delegacioni do të kryesohet nga Presidenti Alfred Moisiu e në të do të marrë pjesë edhe kryeministri Fatos Nano, ndërkohë që janë ftuar të bashkohen me të edhe dy ish presidentët zotiSali Berisha dhe Rexhep Mejdani.

Në Shqipëri të gjithë kanë kujtuar vizitën që papa Gjon Pali i II i pari Papë që shkel në tokën shqiptare kreu në vitin 1993. Më 25 prill të atij viti Ati i Shenjtë vizitoi Tiranën dhe Shkodrën qendrën e katolicizmit në Shqipëri. Në këtë qytet ai mori pjesë në inaugurimin e katedrales së re, ndërtesës që në vitin 1967 ioshte transformuar në pallat sporti si dhe shuguroi 4 peshkop shqiptarë. Vizita e papës erdhi 2 vjet pas vendosjes së marrëdhëneive diplomatike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë, të ndërprera që në vitin 1939, pas pushtimit fashist.

Vdekja e Papës nuk ka prekur vetëm besimtarët katolikë. Edhe besimet e tjera fetare në Shqipëri kanë shprehur hidhërim. Kisha ortodokse autoqefale në Tiranë njoftoi sot se kreypeshkopi Anastas i ka dërguar mesazh ngushëllimi Selise së Shenjtë duke e cilësuar Papa Gjon Palin një personalitet të jashtëzakonshëm fetar, vizionar kurajoz dhe lider i shquar botëror.

XS
SM
MD
LG