Lidhje

Studentë shqiptarë të së drejtës ndërkombëtare në një konkurs në Uashington


Në Uashington përfundoi ditët e fundit konkursi ndërkombëtar mes studentëve të së drejtës ndërkombëtare nga rreth 90 vende të botës, përfshi Kosovën e Maqedoninë.

Të ndarë në grupe, sipas shteteve e kombësive dhe ndonjëherë sipas shkollave, këta studente zgjodhën një çështje fiktive, përgatitën argumentat dhe i paraqitën ato para një trupi gjykues gjithashtu imagjinar. Për studentët pjesmarrës, konkursi kishte vlera teorike dhe mesimore, të cilat një ditë mund t’u vlejnë këtyre juristëve të ardhshëm.

Salla e konkursit simbolizon sallën e një gjykate ndërkombëtare. Përpara trupit gjykues ndodhën dy grupe studentësh, studentë latino-amerikanë nga Nikaragua dhe dy studentë shqiptare nga Universiteti i Evropës Juglindore të Tetovës në Maqedoni. Ata përfaqësojnë dy shtete imagjinare, marrëdhëniet e të cilëve jane acaruar për shkak të një incidenti kufitar. Në kërkim të një zgjidhjeje të drejtë e paqësore, ata i janë drejtuar gjykatës ndërkombëtare. E ndërsa palët paraqesin argumentet e tyre, trupi gjykues dëgjon me vëmendje e shpesh ndërhyn për të kërkuar sqarime.

Vlera metodologjike dhe praktike e një konkursi të tillë është e pallogaritshme, thotë Majkëll Peil, drejtor ekzekutiv i shoqatës së studentëve të së drejtës ndërkombëtare. Vlera, thotë ai, që do të shkëlqejnë pas 10, 20 vjetësh kur këta juristë të ardhshëm do të jenë përfaqësues dhe mbrojtës të shtetit ligjor në vendet e tyre. Sepse sot ata mësojnë rëndësinë e këtij shteti ligjor; mësojnë ta shohin njeri tjetrin jo si kundërshtarë por si kolegë, shokë, miq.

Por takime e konkurse të tilla përbëjnë një shkëmbim përvoje dhe Artani Sadiki, student nga Maqedonia thotë se pasi ka parë si veprojnë kolegët e tij nga vendet e tjera, vitin e ardhshëm edhe ekipi i studentëve shqiptarë do të bëjë përgatitje të ngjashme dhe do të vijë në konkurs me synimin për të fituar.

Në konkurs morën pjesë studentë të së drejtës ndërkombëtare nga 86 vende të botës, përfshi nga Kosova dhe nga universiteti i Evropës Juglindore në Maqedoni, ndërsa nga Shqipëria, Univesiteti i Tiranës nuk kishte dërguar ndonjë ekip studentësh përfaqësues.

XS
SM
MD
LG