Lidhje

Blair kërkon zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme me 5 maj


Siç pritej, kryeministri i Britanisë, Tony Blair kërkoi zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme me 5 maj. Zoti Blair e bëri këtë njoftim sot, pasi i kërkoi Mbretëreshës Elizabetë leje për të shpërndarë parlamentin, në përputhje me protokollin para-zgjedhor.

Analistët thonë se kryeministri shpreson të përfitojë nga nga ekonomia e fortë e Britanisë. Një numër anketash të opinionit të publikuara sot tregojnë se Partia Laburiste e zotit Blair gëzon një epërsi prej 2 deri 5 për qind.

Por analistët e Partisë Laburiste thonë privatisht se pjesëmarrja e ulët mes përkrahësve kryesorë të partisë mund të rrezikojë shumicën e ndjeshme në parlament të zotit Blair.

Partitë kryesore të opozitës shpresojnë ta kapëcejnë këtë epërsi duke kritikuar mbështetjen e zotit Blair për luftën në Irak, që është kundërshtuar gjerësisht nga britanikët.

Michael Howard, udhëheqësi i partisë konservatore, më e madhja e opozitës, u kërkoi votusve që të mos shpërblejnë kryeministrin për ato që ai i cilësoi si 8 vjet të premtimeve të pambajtura. Zoti Blair do të përpiqet të sigurojë mandatin e tij të tretë, për të cilin thotë se do të jetë i fundit, pas fitoreve të thella më 1997 dhe 2001.

XS
SM
MD
LG