Lidhje

Irani në raportin e Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut


Departamenti i shtetit publikoi një raport mbi përpjekjet që po bëjnë Shtetet e Bashkuara për të ndihmuar njerëzit që luftojnë për liri në gati 90 vende të botës.

Duke bërë të njohur raportin, sekretarja e shtetit Condoleezza Rice tha se liria, demokracia dhe të drejtat njerëzore nuk janë vlera vetëm për amerikanët apo për perëndimorët. “Këto ideale janë për të gjithë njerëzit. Ato janë kërkesa të panegociueshme të dinjitetit njerëzor.. Ne po punojmë pa u lodhur për të mbështetur demokracinë dhe të drejtat njerëzore në çdo vend ku këto parime nuk përmbushen plotësisht”, tha sekretarja e shtetit.

Në Iran, thekson raporti, situata e të drejtave të njeriut është keqësuar gjatë vitit të kaluar. Regjimi klerik i Teheranit “vazhdon të kryejë një numër abuzimesh serioze përfshi ekzekutime pa gjyq, zhdukje, përdorimin në shkallë të gjerë të torturës dhe keqtrajtime të tjera”.

Autoritetet iraniane kanë mbyllur pothuajse të gjitha organet e shtypit të pavarur, duke arrestuar ose praktikisht mbyllur gojën gazetarëve. Forumi i fundit i debatit të lirë, gazetat që botohen vetëm internet, ndodhen në një trysni gjithnjë e më të madhe.

Regjimi klerik ka arrestuar disa gazetarë që botojnë njoftime në internet dhe i ka detyruar ata të nënshkruajnë dëshmi të pavërteta. Në Iran, grupet fetare dhe pakicat etnike si komuniteti Baha, hebrenjtë, të krishterët, myslimanët suni dhe sufi diskriminohen dhe kërcënohen. Të drejtat e punëtorëve, si liria e krijimit të shoqatave dhe e drejta për t’u organizuar në sindikata janë të kufizuara reptësisht. Gjithashtu ka njoftime të vazhdueshme se në zonat e thella të Iranit, gratë ndëshkohen nga qeveria duke u qëlluar për vdekje me gurë.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë marrëdhënie diplomatike me qeverinë iraniane. Por thirrjet drejtuar klerikëve që sundojnë Teheranin që të respektojnë të drejtat e popullit iranian janë, sipas raportit të departamentit të shtetit, në qendër të politikës së Shteteve të Bashkuara. Në raport thuhet se “presidenti Bush dhe zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, kanë shprehur vazhdimisht mbështetjen e tyre për popullin iranian në luftën për liri, demokraci dhe për një qeveri më transparente dhe më të përgjegjëshme.

Shtetet e Bashkuara po u bëjnë gjithashtu thirrje miqve dhe aleatëve të tyre, të kushtëzojnë përmirësimin e marrëdhënieve me Iranin me ndryshimet pozitive që priten nga Teherani mbi politikat e të drejtave të njeriut dhe shqetësimet në fusha të tjera.

XS
SM
MD
LG