Lidhje

Zgjedhjet e Shqipërisë në qendër të një diskutimi në Freedom House


Shqipëria përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme. Megjithëse vendi ka kapërcyer traumën që përjetoi me trazirat e vitit 1997, vendi ende ndeshet me probleme të shumta politike dhe ekonomike që kanë ngadalësuar ritmin e procesit të integrimit në institucionet euroatlantike. Siç theksuan një grup analistësh në një diskutim të organizuar dje në Uashington nga Instituti i Shoqërisë së Hapur dhe Fondacioni Freedom House, komuniteti ndërkombëtar do t’i ndjekë me vëmendje këto zgjedhje me rëndësi vendimtare për Shqipërinë. Kolegia Ardita Simiçia, e cila ndoqi diskutimin njofton për disa nga shqetësimet kryesore që vunë në dukje vëzhguesit.

Vëzhguesit theksuan se zgjedhjet e ardhshme janë një provë e rëndësishme për Shqipërinë dhe për angazhimin e saj ndaj demokaracisë. Nëse këto zgjedhje dështojnë, paralajmëron redaktori përgjegjës i Sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, Elez Biberaj, Shqipëria do të ketë përpara një të ardhme të pasigurt që rrezikon reformat politike dhe ekonomike.

“Zgjedhjet e ardhshme janë të një rëndësie kritike dhe do të kenë një ndikim të thellë mbi qëndrueshmërinë politike dhe ekonomike të vendit. Shanset e Shqipërisë për t’u integruar në institucionet euroatlantike do të varen nga zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta”.

Këto zgjedhje, vazhdoi zoti Biberaj, janë çështja më e rëndësishme në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Evropian. Presidenti Bush ka theksuar me të madhe angazhimin e administratës së tij ndaj përparimit të demokracisë në botë dhe Shqipëria do të ketë përpara një provë të madhe për të vërtetuar angazhimin e saj ndaj proceseve demokratike. Po ashtu vazhdimi i negociatave me BE-në për antarësim të mundshëm kushtëzohet nga zhvillimi i zgjedhjeve të rregullta dhe zbatimi i reformave të thella politike.

Këshilltari i Komisionit dy partiak të Helsinkit në Kongresin amerikan, Bob Hand, shprehu optimizëm për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, duke theksuar se komuniteti ndërkombëtar është angazhuar seriozisht në zhvillimet politike në Shqipëri, përmes misionit të OSBE-së në Tiranë. Por zoti Hand shtoi se komuniteti ndërkombëtar është treguar tolerant në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2001, duke theksuar sukseset dhe duke anashkaluar problemet në mënyrë që të ruhej qëndrueshmëria në vend. Këtë radhë, paralajmëron ai, qëndrimi i komunitetit ndërkombëtar do të jetë më rigoroz dhe Shqipëria duhet të tregojë një angazhim të plotë ndaj standarteve ndërkombëtare:

“Nuk mendoj se do të konsiderohet e kënaqshme këtë radhë fakti që mund të jenë shënuar disa përmirësime në zhvillimin e zgjedhjeve, nëse ato nuk përmbushin plotësisht standartet e OSBE-së për zgjedhje të lira dhe të drejta”.

Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Mjaft, Erion Veliaj, vuri në dukje se mbështetja që Shqipëria i ka dhënë luftës globale kundër terrorizmit dhe ndërhyrjes ushtarake në Irak është shfrytëzuar nga qeveria Nano si kapital politik. Zoti Veliaj i bën thirje perëndimit që të mos mbyllë sytë para problemeve të qeverisjes në Tiranë si shpërblim për bashkëpunimin e saj.

Zyrtari i Komisionit të Helsinkit, Bob Hand thekson se megjithë mirënjohjen e Uashingtonit ndaj Tiranës zyrtare, Shtetet e Bashkuara nuk do të tolerojnë asgjë më pak se një respektim të plotë të standarteve për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Shqipëria u afrohet zgjedhjeve me një gamë sfidash, që nga institucionet e dobëta, problemet në qeverisje dhe në shtetin ligjor, korrupsionin dhe zhvillimin e pakënaqshëm ekonomik. Por mbi të gjitha, arena politike e mbizotëruar nga dy forcat kryesore politike, socialistët në pushtet dhe demokratët në opozitë, nuk paraqet alternativa të mirëfillta zgjedhjeje për elektoratin.

Dy kampet politike, thekson zoti Biberaj, nuk paraqesin alternativa të mirëfillta për zgjidhjen e problemeve me të cilat ndeshet vendi, si reformat politike dhe ekonomike, lufta kundër korrupsionit apo punësimi.

“Dy partitë pretendojnë se përfaqësojnë rryma të ndryshme të opinionit publik dhe se kanë pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e Shqipërisë. Por po të shohësh nga afër platformat e tyre, thuajse nuk ka dallim ndërmjet tyre. Këto kampe politike, mendoj, nuk kanë dallime të thella filozofike dhe qëndrimi i tyre ndaj shumë çështjeve është pragmatik dhe jo-ideologjik”.

Çështjet kryesore në këto zgjedhje pritet të jenë ekonomia, lufta kundër korrupsionit dhe debati lidhur me forcën politike që do t’i shërbejë më mirë përshpejtimit të integrimit të vendit në institucionet euroatlantike. Por drejtori ekzekutiv i lëvizjes civile Mjaft, Erion Veliaj, thekson se partitë politike marrin parasysh në platformat e tyre nevojat specifike të komuniteteve të ndryshme në Shqipëri. Këtu ai thekson rolin e organizatave jo-qeveritare si fondacionit Mjaft, për të anketuar opinionin publik në mënyrë që të identifikohen shkencërisht problemet më shqetësuese për elektoratin:

“Politikanët në përgjithësi nuk ia kanë idenë çështjeve që shqetësojnë publikun. Ata nisen disi me hamëndje, por nuk ka të dhëna të sakta lidhur me problemet, qoftë gjakderdhja në Shkodër, apo ndotja e mjedisit në Elbasan, apo trafiku njerëzor në bregdetin jugor. Anketimi do t’u japë mundësi partive të ndërtojnë një debat politik më të sofistikuar dhe më informues për publikun”, thotë zoti Veliaj.

Zoti Hand thekson se megjithë problemet, ka shpresa të mëdha se zgjedhjet e lira dhe të drejta janë të realizueshme. Ai u bën thirje partive politike të tregojnë pjekuri politike dhe fisnikëri dhe të pranojnë rezultatin pa shkaktuar acarim të situatës.

Megjithatë, këshilltari i Komisionit të Helsinkit shton se zgjedhjet nuk duhen parë si objektiv në vetvete, por si pikënisje për reforma të thella për të luftuar problemet me të cilat ndeshet vendi, në mënyrë që Shqipëria të arrijë potencialin e saj të plotë si pjesëtare e komunitetit demokratik botëror.

XS
SM
MD
LG