Lidhje

Winterman: Nëse provat për kërkimin e naftës janë të suksesshme, do të investojmë më shumë në Shqipëri


Zëvendës presidenti i kompanisë amerikane të naftës Occidental thotë se stabiliteti në Shqipëri e ka lehtësuar punën e kompanisë për kërkimin e naftës në këtë vend. John Winterman, i cili sapo është kthyer nga Shqipëria ku nënshkroi një kontratë për kërkimet, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se nëse provat për nxjerrjen e naftës dhe gazit dalin me sukses, kjo do të sjellë hapjen e vendeve të reja të punës për banorët e zonës së Shpiragut, ku kërkimet janë planifikuar të fillojnë më 20 prill. Kolegia jonë Keida Kostreci bisedoi me zotin Winterman.

Zoti Winterman thotë se kompania e tij po përgatitet për të rifilluar punimet në pusin që u hap në vitet 2000-2001, Shpiragu Nr. 1, i thellë 5333 metra, për të parë nëse mund të nxirret një sasi sa më e madhe nafte.

“Pusi fillestar, rezultoi se do të nxirrte rreth 200 fuçi në ditë, por fluksi nuk ishte gjithnjë me të njëjtin ritëm. Ne duam që të arrijmë të nxjerrim 800 deri në 1000 fuçi në ditë”.

Occidental ka filluar aktivitetin në Shqipëri që në vitin 1991 dhe në vitin 1997 pasi siguroi 3 blloqe, kreu operacione sizmike dhe më pas shpoi pusin Shpiragu Nr. 1 në vitin 2000.

Pusi fillestar ka kushtuar 31 milionë dollarë dhe kostoja e operacioneve aktuale për të rihyrë dhe për gërmime është rreth 15 milionë dollarë, për të cilën kompania nënshkroi marrëveshje me qeverinë shqiptare muajin e kaluar.

“Nëse provat e pusit dalin me sukses, do të shpenzojmë edhe 5-10 milionë dollarë të tjerë”.

Zoti Winterman thotë se sonda është vendosur tashmë, dhe planet janë që kërkimet të fillojnë më 20 prill. Kompania me kalimin e viteve të punës për kërkimet e naftës, ka punësuar 400 deri në 600 shqiptarë.

“Sigurisht që me vazhdimin e shpimit, megjithëse sonda është kroate, për operimin e sondës punësohen shqiptarë dhe me vazhdimin e operacioneve, sigurisht që nëse ato janë të suksesshme është në interesin tonë që të marrim në punë sa më shumë shqiptarë”.

Duke iu kthyer viteve të aktivitetit të kompanisë Occidental që nga fillimi i viteve ’90, zoti Winterman thotë se tre herë gjatë trazirave civile, si për shembull pas skemave piramidale, të gjithë punonjësit e tyre janë evakuuar.

“Sot nuk i kemi më këto lloj problemesh, gjendja sociale është përmirësuar në mënyrë dramatike gjatë 5 viteve të fundit. Stabiliteti në vend e ka lehtësuar shumë punën tonë”.

Ai thotë se edhe sot ka herë pas here probleme me punonjësit vendas ose pronarët e tokave, por kompania ka patur përkrahjen e kryetarëve të bashkive dhe komunave, si edhe policisë për të kapërcyer këto lloj situatash. Ai shton se vendi duket të jetë tani shumë më i qëndrueshëm dhe ekonomia është zhvilluar, siç mund të shihet nga infrastruktura e përmirësuar.

XS
SM
MD
LG