Lidhje

Dita e shëndetit: Shumica e vdekjeve mes nënave dhe fëmijëve, është e parandalueshme


Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, çdo minutë, në botë vdesin 20 fëmijë nën moshën 5-vjeçare dhe rreth 11 milionë fëmijë çdo vit. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se tragjedia më e madhe është se shumica e këtyre vdekjeve mund të parandalohen.

Në një epokë të teknologjisë së lartë dhe përparimeve në fushën e mjekësisë, vdekja çdo vit e 11 milionë fëmijëve dhe rreth gjysëm milioni nënave në mbarë botën nuk ka fare kuptim.

Shumica e vdekjeve shkaktohen nga mungesa e shërbimit shëndetësor, kequshqyerja, ose infeksionet e thjeshta. Shumica e tyre ndodhin në radhët e të varfërve në vende në zhvillim, në rajone të Indisë dhe Afrikën nënsahariane.

Gjysma e vdekjeve shkaktohen nga kequshqyerja; 4 milion prej tyre janë foshnje në muajin e parë të jetës, që vdesin nga komplikacionet dhe nga mungesa e kujdesit të nevojshëm nga personeli obstetrik. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe shumë institucione të tjera po përpiqen të nxisin mënyra të thjeshta dhe ekonomike për të shpëtuar jetën e miliona nënave dhe fëmijëve. Ja si shprehet doktoresha Ann Tinker, e Organizatës Save the Children:

“Kjo është një paketë me mjetet që përdoren për lindjen e fëmijëve në Nepal, kjo është nga Vietnami. Në paketë përfshihen një brisk për prerjen e kordonit të kërthizës, sapun për larjen e duarve dhe një çarçaf plastik ku të vendoset fëmija e porsalindur”.

Sipas doktoreshës Tinker, është po aq e rëndësishme që të përmirësohen edhe mundësitë për mbijetesën e nënave. Ajo thotë se në disa rajone të Afrikës dhe Azisë, në se nëna vdes, fëmija ka shumë pak shpresa për të jetuar, veçanërisht në se fëmija është vajzë, ngaqë vajzat konsiderohen më pak të vlefshme.

Ekspertët thonë se shëndeti i nënës dhe vdekshmëria lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me mundësitë që ata kanë për shërbimin shëndetësor. Kjo ka të bëjë direkt me varfërinë dhe me mungesën e arsimit dhe transportit. Doktoresha Mirta Rosas është Drejtoreshë e Organizatës Panamerikane të Shëndetësisë, PAHO.

“Ne e dimë se ka mjaft kontraste, po thellohet hendeku mes atyre që kanë kushte shumë të mira dhe atyre që nuk kanë asgjë. Dhe në se bota nuk përqëndrohet për të luftuar më tepër për barazi dhe pabarazi në fushën e shëndetësisë, gjendja do të keqësohet”.

Sipas Bankës Botërore, “problemet me shëndetin janë një nga arsyet kryesore përse familjet varfërohen dhe mbeten të tilla.” Disa ekspertë thonë se kjo përfshin atë pjesë të shëndetësisë që ka të bëjë me lindjet; 70 mijë gra vdesin çdo vit nga abortet e paligjshme dhe në kushte jo të sigurta për shëndetin. Doktoresha Elizabeth Lule është këshilltare pranë Sektorit për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në Bankën Botërore këtu në Washington.

“Ne e dimë se rreth 200 milionë gra kanë patur shtatzani të padëshëruara dhe ato kanë nevojë t’u jepet mundësia për shërbim shëndetësor, duke përfshirë edhe planifikimin familiar”.

Numri i lindjeve në vitet ’80 u pakësua. Kohët e fundit, ky nivel nuk ka ndryshuar madje në disa vende ai është rritur. Në vende të tjera, ritmi i vdekshmërisë së fëmijëve nuk ka ndryshuar në 50 vjetët e fundit, sidomos në vendet afrikane, si Lesotho, Nigeri dhe Madagaskar.

“Ne na mungon përkushtimi politik për investimet e nevojshme për t’u ardhur në ndihmë nënave dhe fëmijëve. Pabarazia gjinore është një fenomen që po përhapet në një sërë vendesh të varfëra”, thotë zonja Lule.

“Ne nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë. Duhet të shohim drejt së ardhmes dhe cila do të ishte e ardhmja jonë, në se nuk sigurojmë të ardhmen e një fëmije që do të lindë nesër. Ne duhet të përmirësojmë shëndetin e nënave dhe fëmijëve për të ardhmen e botës dhe të paqes”, thotë zonja Tinker.

Këtë vit, në Ditën e Shëndetit në Botë, kur duhet t’i vihet rëndësi çdo nëne dhe fëmije, ekspertët thonë se për shumë gra në një numër tepër të madh vendesh, shtatzania është një dhimbje e rrezik dhe jo një kënaqësi dhe gëzim.

XS
SM
MD
LG