Lidhje

Shqipëri: Parlamenti miraton ligjin për konfliktin e interesave


Parlamenti shqiptar miratoi sot ligjin për konfliktin e interesave. Diskutimi i tij në sallë u shoqërua me debate të ashpra për disa prej neneve të tij. Opozita votoi pro në parim për ligjin, por përplasjet për disa nga nenet e tij bënë që ajo ta kunërshtonte dhe ligji të kalonte me votën e shumicës së majtë. Ligji i ri përjashton drejtuesit e shtetit dhe qeverisë, deputetët dhe zyrtarët e administratës nga pjesmarrja në shoqëri tregtare.

U duk sikur ligji për konfliktin e interesave një ndër më të rëndësishmit për shmangien e abuzimeve dhe përfitimeve që mund të rrjedhin nga pozitat drejtuese, do të kalonte me mbështetjen e të gjithë krahëve të politikës.

Votimi në parim tregoi një mbështetje të gjerë, por diskutimi nen për nen i ligjit, hartimi i së cilit ka patur edhe konsulencën e aktorëve jo qeveritarë, nxorri sërish në pah konflikte. Opozita akuzoi të majtët se po lindin hapësira të shumta që zyrtarët të kishin mundësi të mbanin aktivitet tregtare. Por zëvendëskryeministri Namik Dokle u kundërpërgjigj se këto deklarata ishin thjesht insinuata të pabaza:

"Nuk dini ta lexoni riformulimin që ka bërë komisioni I ligjeve dhe që thotë shprehimisht: Nuk mund të zotërojnë në mënyrë aktive aksionet ose thjesht kapitalet e një shoqërie tregtare pavarësisht nga fusha e veprimtarisë së saj. A janë analfabetë për të shkruar apo lexuar nuk e di por mesa duket janë analfabetë politikë ata që bëjnë insinuata të tilla".

Opozita kundërshtoi edhe një nen i cili i lejon të afërmit e zyrtarëve të kenë biznese. Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike Ridvan Bode tha se në këtë mënyrë bëhet e mundur që të gjithë t’i regjistrojnë aktivitetet e tyre nën emra të tjerë:

"Ju kërkuam që këta njerëz të mos administrojnë më biznese as vetë as dhe të afërmit. Ua latë të drejtën që me të afërmit e tyre të administrojnë biznese. Cfarë u bë me këtë ligj? Legjitimuam atë që deri dje e akuzonim se është korrupsion, se duhet të heqim dorë, se duhet të kufizojmë shtetin qeveritarët në mënyrat e përdorimit abuziv të pushtetit. Cfarë bëtë? Asgjë nuk bëtë".

Por për socialistet kjo pikë nuk lejonte hapësira për abuzime përsa kohë bëhet fjalë sipas tyre për biznese të kufizuara me të ardhura vjetore jo më shumë se 25 milion lekë.

Të majtët refuzuan gjithashtu që ligji të kishte fuqi prapavepruese. Që nga një janari do të nisë deklarimi periodik I konfliktit të interesave, për kontrollin e të cilit është ngarkuar Inspektoriati i Lartë i verifikimit të Pasurive.

Në Shqipëri të majtët në pushtet janë kritikuar shpesh se duke shfrytëzuar postet kanë favorizuar biznese të tyre apo të njerëzve të afërt me të. Ligji i ri vendos kufizme të shumta, por zgjidhja e vërtetë e problemit do të shihet në mënyrën se si do të zbatohet ligji.

XS
SM
MD
LG