Lidhje

Romë: Presidenti Bush takohet me zyrtarë italianë dhe udhëheqës katolikë amerikanë


Presidenti Bush po takohet me zyrtarë italianë dhe me udhëheqës katolikë amerikanë ndërkohë që ndodhet në Romë për të marrë pjesë në funeralin e Papa Gjon Palit të Dytë. Korrespondenti ynë Scott Stearns njofton nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti Bush i bëri një vizitë kortezie Presidentit italian Carlo Ciampi në Pallatin Kuirinale të Romës, ku mori pjesë edhe Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice si dhe ish presidentët George Herbert Walker Bush dhe Bill Clinton.

Të katër ata, së bashku me zonjën e parë Laura Bush, përbëjnë delegacionin zyrtar amerikan në funeralin e Papës.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan tha se takimi me presidentin italian përfshiu një numrë temash, si Lindja e Mesme, Iraku dhe Afganistani.

Por njëra çështje për të cilën nuk u bisedua ishte vrasja muajin e kaluar e një oficeri italian të zbulimit nga trupat amerikane në Irak pas lirimit të një gazetareje italiane e cila mbahej peng nga kryengritësit në Irak.

Zyrtarët amerikanë thonë se vrasja ishte aksidentale dhe se makina ku ndodhej italiani nuk e uli shpejtësinë në postbllokun amerikan. Gazetarja e liruar tha se makina e uli shpejtësinë para se ushtarët të hapnin zjarr.

Zoti McClellan u tha gazetarëve në Romë se administrata Bush e ka shprehur më parë keqardhjen për incidentin, i cili është bërë objekt i hetimit të përbashkët nga autoritetet amerikane dhe italiane. Zëdhënësi tha se rreth incidentit do të flitet më shumë pasi të ketë përfunduar hetimi.

Rrethanat lidhur me vdekjen e agjentit italian, Nicola Calipari e shtuan presionin e publikut mbi kryeministrin Silvio Berlusconi që ai të tërhiqte tre mijë trupat italiane nga Iraku.

Disa ditë pas incidentit, kryeministri njoftoi se do të fillonte t’i kthente trupa në atdhe në muajin shtator. Por pas bisedimeve me presidentin Bush dhe me kryeministrin britanik, Tony Blair, zoti Berlusconi sqaroi se një tërheqje e mundëshme do të fillonte vetëm në konsultim me aleatët dhe vetëm kur forcat irakiane të sigurimit të jenë të përgatitura sa duhet për të marrë mbi vete përgjegjësi më të mëdha.

Kryeministri Berlusconi është një nga aleatët më të ngushtë evropianë të Presidentit Bush në luftën në Irak. Sonte, kryeministri po jep një darkë pas pritjes së organizuar në rezidencën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara për kardinalët, kryepeshkopët dhe peshkopët amerikanë të cilët ndodhen në Romë për funeralin e Papës.

Nesër, pas funeralit, President Bush do të shkojë në fermën e tij të Teksasit ku do të kalojë fundjavën para takimit që do të ketë të hënën me kryeministrin izraelit Ariel Sharon.

XS
SM
MD
LG