Lidhje

Jamie Shea: Përcaktimi i statusit të Kosovës është çështje urgjente


Zëvendës-ndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-së, për Marrëdhënie me Jashtë, Jamie Shea tha sot në Prishtinë se pa përcaktimin e statusit politik të Kosovës, nuk mund të thuhet se NATO-ja ka përmbyllur me sukses misionin e saj në Kosovë.

Ai i bëri këto komente gjatë një ligjërate në Universitetin e Prishtinës në të cilën tha se Kosova duhet ta ndërtojë një sistem të qëndrueshëm të vetëqeverisjes, ndërsa NATO-ja do të vazhdojë të jetë e pranishme nëpërmjet partneritetit.

Zoti Shea i cili në Kosovë gëzon një simpati të posaçme për shkak të rolit të tij si zëdhënës i NATO-s gjatë bombardimeve të saj kundër caqeve serbe në vitin 1999 tha se zgjidhja e statusit të Kosovës është një çështje emergjente.

“I kemi borxh popullit të Kosovës i cili nuk duhet të lihet të jetojë në një boshllëk të pafund në një tokë të askujt, ku qytetarët nuk do të kenë identitet të njohur ndërkombëtar e madje as pasaporta për të udhëtuar lirshëm”, tha zoti Shea.

Fushata e NATO-s e vitit 1999 duhet të ketë arsyetimin e saj përfundimtar si ndërhyrje e cila jo vetëm i ka dhënë fund spastrimit etnik, por ka arritur të ndërtojë një demokraci të qëndrueshme shumetnike.

Ai tha se bashkësia ndërkombëtare gjithnjë e më shumë ka mirëkuptim për faktin se për derisa nuk përcaktohet statusi i Kosovës, nuk do të përcaktohet statusi i askujt në rajon.

Ky status tha ai do të jetë brenda nocionit të vetëvendosjes, pasi që nuk mund të punohet në kundërshtim me vullnetin e mbi 90 për qind të popullsisë. Por ai tërhoqi vërejtjen se pavarësia nuk është zgjidhja e vetme për problemet, prandaj qartazi duhet të vendoset një sistem i vetëqeverisjes që siguron se qytetarët e Kosovës mund të zgjidhin vetë problemet e tyre.

Komandanti i forcave paqeruajtëse në Kosovë, gjenerali Yves De Kermabon tha se ky është edhe synimi i zhvillimit të sigurisë në Kosovë.

“Tash është një trend që çon kah një prani ndryshe e bashkësisë ndërkombëtare dhe tashmë ëndërroj për Kosovën paqësore pa trupat e NATO-s”, tha gjenerali de Kermabon duke vlerësuar se situata aktuale e sigurisë është më e qëndrueshmja që nga viti 1999.

Veton Surroi, kryetar i partisë “Ora”, tha se roli i NATO-s në Kosovë dhe rajon është i shumëfishtë dhe pa të qytetarët e Kosovës do të ishin një popull i shpërndarë nëpër botë. Ai tha se NATO-ja për herë të parë në historinë e saj garanton shtet bërjen dhe një lloj qëndrueshmërie rajonale, duke e nënvizuar rolin e pazëvendësueshëm të saj edhe në të ardhmen.

“Kosova nuk do të mund të paguajë një ushtri të madhe. Por Kosova duhet të ndërtojë konceptin e vet edhe të ushtrisë së ardhshme brenda konceptit të përgjithshëm të zhvillimit të NATO-s. Brenda NATO-s sot është duke u zhvilluar koncepti i intervenimit jashtë kufijve të saj falë Kosovës dhe është duke u shikuar mënyra se si do të jetë e pranishme në shumë vatra botërore”, tha zoti Surroi.

Pjesëmarrësit e konferencës së sotme thanë se viti 2005 është vit i Ballkanit dhe vit i Kosovës dhe kjo është një mundësi që nuk duhet humbur.

XS
SM
MD
LG