Lidhje

Shtetet e Bashkuara falenderojnë Shqipërinë për rritjen e numrit të trupave në Irak


Presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush ka falenderuar Shqipërinë për vendimin e saj për të rritur numrin e pranisë ushtarake në Irak duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm. Qeveria shqiptare njoftoi sot pasdite se kryeministri Nano kishte marrë një letër nga presidenti amerikan ku ai vinte theksin për rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare sipas standarteve.

Në muajin shkurt të ktij viti qeveria shqiptare vendosi të rrisë numrin e trupave të saj ushtarake që marrin pjesë në Irak. Shqipëria ndër vendet e para që iu bashkua koalicionit të udhëhequr nga Shtete e Bashkuara kundër terrorizmit, që prej rënies së regjimit të Sadam Huseinit dërgoi në Irak një njësi të përbërë prek 70 komandosh, të cilëve iu shtuan edhe 50 të tjera duke formuar edhe sipas standarteve të NATO-s një kompani të plotë.

Trupat shqiptare veprojnë nën komandën amerikane në aeroportin e qytetit të Mosulit. Për këtë vendim, qeveria shqiptare ka marrë edhe falenderimet e presidentit amerikan George Bush, i cili i ka nisur një letër kryeministrit Fatos Nano në të cilën shtimi i trupave vlerësohet si një hap i rëndësishëm.

“Ky është një tjetër tregues i angazhimit të vazhdueshëm dhe të thellë të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit në mbarë botën dhe sigurimit të paqes, stabilitetit dhe demokracisë në Irak” shkruan presidenti Bush në letrën teksti i së cilës u shpërnda sot pasdite nga zyra e shtypit e qeverisë shqiptare.

Presidenti amerikan ka vlerësuar edhe rolin që Shqipëria luan në rajonin e Ballkanit.

“Përpjekjet e vendit tuaj gjatë kryesimit të tanishëm të Kartës së Adriatikut, janë një kontribut i rëndësishëm për rajonin dhe qëllimin tonë të përbashkët për një Europë të bashkuar, të lirë dhe në paqe. Shtetet e Bashkuara po presin me kënaqësi pjesëmarrjen në takimin e Kartes se Partneritetit, këtë Maj në Tiranë”, shkruan presidenti Bush.

Në letrën e tij preket edhe çështja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin fuqimisht aspiratën e Shqipërisë për një integrim të plotë në komunitetin Euro-Atlantik. Zgjedhjet e kësaj vere do të shërbejnë si një moment i rëndësishëm i progresit në këtë proces dhe ne jemi te bindur se të gjithë shqiptarët do të punojnë së bashku për të siguruar që këto zgjedhje të jenë sipas standarteve të duhura”, shprehet presidenti amerikan.

XS
SM
MD
LG