Lidhje

Të rejat nga ekonomia dhe financat


Zyrtarë amerikanë të shëndetësisë i kërkuan kompanisë së prodhimit të barnave Pfizer (Fajzer) të pezullojë shitjen e qetësuesit Bextra për shkak të shqetësimeve se rreziku nga përdorimi i ilaçit është më i madh se sa përfitimet. Ky bar përdoret nga miliona pacientë me artrit. Zyrtarët u kërkuan gjithashtu prodhuesve të barnave të ngjashme me Bextra-n që të theksojnë edhe më tepër paralajmërimet për probleme të mundshme kardiovaskulare dhe gastritointestinale në produktet e tyre.

Kryetari i Bankës Qendrore amerikane, Alan Greenspan, thotë se çmimet e larta të naftës mund të shtojnë rezervat e karburantit dhe të zbutin furinë e tanishme të çmimeve. Një raport i ri bën të ditur se çmimet e larta të benzinës do të rriten edhe më tej muajt e ardhshëm për shkak të rritjes së kërkesës dhe çmimeve tepër të larta të naftës bruto. Raporti i së enjtes i Departamentit amerikan të Energjisë bën të ditur se benzina do të kapë shifra rekord në muajin maj -- 2 dollarë e 35 cent, që do të thotë 62 cent për litër.

Kina po proteston ndaj një mase të Bashkimit Evropian për kufizimin e importit të tekstileve nga Kina. Në bazë të rregullave të Bashkimit Evropian, rritja e importit të tekstileve ndërmjet 10 e 100 për qind mund të çojë në vendosjen e kuotave kufizuese. Zyrtarë kinezë thonë se kjo masë është shkelje e parimeve të Organizatës Botërore të Tregëtisë. Ndërkohë, industria amerikane e veshjeve po i kërkon Washingtonit të pakësojë importet kineze.

Banka Botërore thotë se ekonomia në Amerikën Latine dhe në rajonin e Karaibeve u rrit gati 6 për qind në vitin 2004 -- rritja më e madhe në çerekshekulli. Banka Botërore e shpjegon këtë rrijte me kërkesën e fuqishme botërore për eksportet e rajonit, rritjen e çmimeve të mallrave dhe përqindjet e ulëta të interesit bankar.

XS
SM
MD
LG