Lidhje

Etika dhe skandalet në korporatat amerikane


Gjatë dy viteve të fundit ka pasur një numër skandalesh në korporatat amerikane. Ish shefi ekzekutiv i WorldComit, Bernard Ebbers u shpall fajtor kohët e fundit për mashtrimin më të madh në një firmë në historinë e Amerikës. Skandalet në korporatat WorldCom, Enron, Tyco, etj., janë bërë shkak që miliona amerikanë të humbin investimet e tyre dhe në disa raste edhe punën.

Shefi Ekzekutiv i WorldComit, Bernard Ebbers, trasformoi një firmë telefonike të Misisipit në një nga kompanitë më të fuqishme amerikane të telekomunikacionit. Por ai ishte gjithashtu përgjegjës për dështimin e saj dhe më pas falimentimin, i cili renditet si falimentimi më i rëndë në historinë amerikane. Ish-Prokurori federal Jay Fahy shpjegon:

“Ishte një mashtrim masiv, kur mendon që bëhet fjalë për 11 miliard dollarë”, thotë ai.

Skandali në kompaninë WorldCom është vetëm një ndër shembujt e mashtrimeve dhe abuzimeve në korporata që u bënë publike pas rënies së aksioneve të kompanive informatike. Ndër kompanitë që po hetohen ose po paguajnë gjoba për të mos u përballur me akuzat në gjyq, janë Qwest Communications, Fannie Mae, Time Warner dhe Adelphia Communications. Sipas disa analistëve, drejtuesit e sotëm të korporatave janë më të pangopur:

“Nuk është e vërtetë. Korrupsioni nuk është rritur më shumë se ç’ishte 2000 vjet më parë. Por publikut i krijohet kjo përshtypje nga reagimi i medias”, thotë Douglas McCabe profesor menaxhimi në Universitetin Georgetown.

“Sa herë që del në skenë një skandal i ri, qoftë në politikë apo biznes, kemi prirjen të reagojmë sikur është një rast krejt unik dhe shumë më i rëndë se ç’kemi parë deri atëherë”, thotë sociologia Mary Still e Universitetit Amerikan.

“Mendoj se gjithmonë do të ketë raste shpërdorimesh. Por tani kemi arritur një nivel më të lartë në aftësitë për t’i kapur autorët e këtyre akteve”, shton zonja Still.

Pierre Yves - Dugua, korrespondent për biznesin për gazetën franceze Le Figaro, thotë se evropianët janë çuditur nga rastet e shumta të skandaleve kohët e fundit:

“Është krijuar përshtypja se sistemi kapitalist amerikan nuk është aq transparent sa ç’pretendohet. Megjithatë, ky mund të jetë një sistem edhe më transparent se pjesa më e madhe e sistemeve të tjera”, thotë ai.

Zonja Stills thotë se rritja e presionit ndaj drejtuesve të korporatave për të shtuar fitimet për aksionerët është faktor në këto skandale:

“Konkurenca në rritje ndërmjet kompanive në tregun global, mund të jetë bërë shkak për këto veprime jo-etike në gjirin e korporatave".

Profesori McCabe nuk mendon kështu.

“Trysnia ka qenë gjithmonë e njëjtë, thotë ai, si në rastin e Henry Fondit 100 vjet më parë apo të Alfred Sloanit të kompanisë General Motors në vitet ’20 dhe ’30. Por shpresoj se drejtuesit e korporatave do ta kuptojnë se mënyra më e mirë për të arritur përfitime afat-gjata është duke iu përmbajtur etikës së biznesit dhe duke përmbushur përgjegjësitë sociale të korporatës”, thotë ai.

Arsyeja që drejtuesit e korporatave nuk zbatojnë etikë të shëndoshë, mund të shpjegohet me faktin se ata kurrë nuk kanë marrë mësime mbi këtë temë. Zonja Still thotë se studimet tregojnë se kur studentët e shkollave të biznesit diplomohen, etika e tyre ka ndryshuar, ata janë shndërruar në individë më agresivë që nuk mendojnë për tjetër gjë përveç fitimeve.

“Në këtë proces mësimdhënës për studentët e biznesit në Shtetet e Bashkuara, i cili është procesi kryesor i përgatitjes së manaxherëve të ardhshëm, nuk u kushtohet vëmendje e mjaftueshme kërkesave etike”.

Profesori McCabe thotë se mund të bësh shumë para nëse sillesh në mënyrë jo-etike për një farë periudhe, por këto veprime do të dëmtojnë fitimet e korporatës në peridhën afat-gjatë dhe do të ndikojnë negativisht në fitimet e aksionerëve. Me pak fjalë, thotë ai, etika e shëndoshë sjell biznes të mirë.

XS
SM
MD
LG