Lidhje

Presidenti Bush mbi zgjedhjet libaneze


Siria ka premtuar të tërheqë të gjitha forcat ushtarake dhe ato të zbulimit nga Libani, para zgjedhjeve parlamentare që janë në plan të zhvillohen në fund të majit. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në Liban, Terje Roed-Larsen, tha përmes një deklarate se Ministri i Jashtëm sirian, Farouk al-Sharaa, e ka siguruar se trupat siriane, paisjet ushtarake dhe aparatet e zbulimit do të hiqen plotësisht nga Libani deri me 30 prill. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Siria të respektojë afatin e caktuar për tërheqjen e trupave.

“Rezoluta 15-59 e Këshillit të Sigurimit kërkon tërheqjen e plotë të trupave siriane dhe agjentëve të zbulimit. Siria e ka siguruar zotin Larsen se do t’i tërheqë trupat, dhe ne do të shohim këtë përmes veprimeve të tyre, nëse do ta respektojnë këtë apo jo......në mënyrë që zgjedhjet e majit të zhvillohen në një mjedis të lirë nga frika apo nga ndërhyrja e jashtme".

Presidenti Xhorxh Bush thotë se është e rëndësishme që Siria të tërheqë trupat nga Libani dhe që zgjedhjet në atë vend të zhvillohen në kohë.

“E vlerësoj faktin që Siria ka shprehur synimin e saj për tërheqjen e plotë nga ai vend....jo vetëm ushtarakisht por edhe agjentët e sigurimit. Dhe së dyti është e rëndësishme që zgjedhjet në Liban të zhvillohen në kohë.”

Shtetet e Bashkuara, tha presidenti Bush, mirëpresin bashkëpunimin edhe me miqtë dhe aleatët e tyre, për t’u siguruar që Libani të jetë një vend me të vërtetë i lirë.

XS
SM
MD
LG